Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur me një ceremoni zyrtare në kompleksin presidencial, në Ankara, nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Agjencia zyrtare turke e lajmeve Anadolu , njofton se Kurti dhe Erdogan do të zhvillojnë një takim kokë më kokë dhe, më pas, do të udhëheqin takimin e delegacioneve midis dy vendeve.
Kryeministri kosovar po qëndron për një vizitë zyrtare në Ankara, ku, sipas paralajmërimeve, do të pritet në takim edhe nga ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, shkruan agjencia turke.
Më vonë, Kurti do të udhëtojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve.
/rtsh.al/