RTSH 24 Live

Europë

Politico: Papa në gjendje të rëndë, po vuan nga dhimbje të forta

18/02/2025

Politico: Papa në gjendje të rëndë, po vuan nga dhimbje të forta

Lajmet që vijnë nga mediat ndërkombëtare për shëndetin e Papa Françeskut janë shqetësuese.

Dy burime për Politico kanë thënë se Papa po vuan nga dhimbje të forta dhe privatisht është shprehur i sigurt se këtë herë nuk do t’ia dalë.

“Papa Françesku është seriozisht i shqetësuar për shëndetin e tij pasi u shtrua në spital me bronkit të rëndë dhe po nxiton të lidhë fundet përpara betejës për ta pasuar atë. Papa u shtrua në një repart special në fillim të këtij muaji në spitalin Gemelli në Romë me një infeksion të frymëmarrjes dhe që atëherë ai është detyruar të anulojë një sërë paraqitjesh publike”.

Papa 88-vjeçar po trajtohet në një repart të posaçëm të spitalit Gemelli në Romë, pasi u diagnostikua me infeksion respirator. Ai ka anuluar aktivitetet që kishte në agjendë duke ndjekur me përpikmëri udhëzimet e mjekëve.

Sipas Politico, kreu i Kishës Katolike refuzoi fillimisht të shkonte në spital, por u detyrua të pranonte pasi i vunë në dukje se rrezikonte nëse qëndronte në dhomën e tij në Vatikan.

Duke kuptuar se shëndeti i tij po përkeqësohej, Papa përfundoi disa lëvizje të rëndësishme dhe vendosi peshkopë të aftë në disa pozicione kyçe.

“Më 6 shkurt, para se të shtrohej në spital, ai zgjati mandatin e kardinalit italian Giovanni Battista Re si dekan i Kolegjit të Kardinalëve, një rol që do të mbikëqyrë disa përgatitje për një konklavë të mundshme, mbledhjen e fshehtë që përcakton zgjedhjen e një Pape të ri. Masa, e cila anashkaloi në mënyrë të diskutueshme një votim të planifikuar për dekanin e ardhshëm nga kardinalët kryesorë, kishte për qëllim të siguronte që procesi të zhvillohej sipas dëshirave të Françeskut, thanë njerëzit”-shkruan Politico.

Edhe pse kardinali në fjalë është mjaft i moshuar për të marrë pjesë në Konklavë, megjithatë ai do të jetë një figurë kyçe në proceset e prapaskenave përpara formimit të këtij organi dhe pritet të mbrojë trashëgiminë e Papës aktual.

Edhe nëse Françesku i mbijeton sëmundjes së tij të fundit, vëzhguesit e shohin këtë si një pikë kthese të mundshme pasi Papa e zhvendos fokusin nga përparimi në reformat e tij, në mbylljen e tyre.

/rtsh.al/