RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Plumba kreut të Haraçinës/ Shpëton zyrtari i BDI, plagosen nëpunësi dhe shoferi

01/04/2024

Plumba kreut të Haraçinës/ Shpëton zyrtari i BDI, plagosen nëpunësi dhe shoferi

Makina e kryetarit të komunës së Haraçinës në Maqedoninë e Veriut është qëlluar me armë zjarri. I zgjedhuri shqiptar, Ridvan Ibraimi ishte në makinë kur ka ndodhur atentati por ka shpëtuar pa lëndime.

Mediat në Maqedonin e Veriut, raportojnë se, nga të shtënat me armë janë lënduar dy persona, një nëpunës i komunës dhe drejtuesi i mjetit. Ata janë çuar në spital dhe njëri prej tyre sipas mjekëve është në gjendje më të rëndë, pasi është qëlluar me një plumb në gjoks.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së hënës në hyrje të Haraçinës. Ministrja e brendshme në Shkup tha se sulmi është kryer nga një person i njohur për policinë, i cili ka qenë i përfshirë edhe në krime të tjera. Megjithatë autoritetet nuk kanë dhënë më shumë informacione në lidhje me autorin.

Njësitet policore kanë ngritur postblloqe në të gjithë Haraçinën për kapjen e sa më shpejtë të autorit, ndërsa motivi mbetet ende i paqartë Ridvan Ibraimi është zgjedhur në krye të Haraçinës që prej vitit 2021si përfaqësues i partisë “Bashkimi Demokratik për Integrim”.

Prokuroria Publike Themelore në Shkup ka dalë me informacione të reja në lidhje me atentatin në Haraçinë, transmeton TV21.

“Në lidhje me ngjarjen në Haraçinë, prokurori publik kujdestar i Prokurorisë Publike Themelore Shkup ka kryer hetim në vendin e ngjarjes, ka dhënë urdhër për grumbullimin e gjurmëve dhe kryerjen e ekspertizave të nevojshme. Do të jepet edhe urdhër për sigurimin e videove nga kamerat e sigurisë së objekteve përreth, si dhe ndërmarrjen e aktiviteteve të tjera”, thanë nga Prokuroria.

 

/rtsh.al/