RTSH 24 Live

Aktualitet

Pezullohet efektivja e policisë, përvetësoi mjetin e sekuestruar dhe e shiti për pjesë këmbimi

08/07/2024

Pezullohet efektivja e policisë, përvetësoi mjetin e sekuestruar dhe e shiti për pjesë këmbimi

Një oficere e policisë me gradë nënkomisare në komisariatin e policisë nr 1 të Tiranës është pezulluar nga detyra pasi është në hetim për mashtrim.

Agjencia e  Mbikëqyrjes Policore ka njoftuar se nga hetimet e kryera u siguruan prova se punonjësja e policisë B.K gjatë kohës që ka kryer detyrën si Specialiste për Hetimin e Krimeve, duke shfrytëzuar atributet e Oficerit të Policisë Gjyqësore, ka përvetësuar një mjet dhe në bashkëpunim me shtetasin G.K, e kanë shitur atë për pjesë këmbimi me qëllim përfitimi informoi sot AMP.

Nga të dhënat e gazetarëve mësohet se bëhet fjalë për një mjet tip Golf 6.

“Nga hetimet e kryera u siguruan prova se punonjësja e policisë B.K., gjatë kohës që ka kryer detyrën si Specialiste për Hetimin e Krimeve, duke shfrytëzuar atributet e Oficerit të Policisë Gjyqësore, pas ekzekutimit të urdhrit për kthimin e mjetit të sekuestruar, nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar atë mjet dhe në bashkëpunim me shtetasin G.K., e kanë shitur atë për pjesë këmbimi me qëllim përfitimi” bënë të ditur në njoftimin e saj AMP.

 

/rtsh.al/