Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller ka mohuar në mënyrë kategorike se SHBA dhe shtetet arabe kanë nisur bisedime të fshehta me Iranin për një armëpushim gjithëpërfshirës që synon të qetësojë të gjitha frontet e luftës në Lindjen e Mesme.
“Askush nuk ka kontaktuar me Shtetet e Bashkuara për një propozim të tillë dhe ne nuk jemi në bisedime me asnjë vend për një propozim të tillë. S’mund të flas për një propozim hipotetik që as nuk jam i sigurt se ekziston në realitet. Natyrisht, ne do të mirëprisnim fundin e konfliktit në të gjithë rajonin”, tha Miller në lidhje me raportin e djeshëm të lajmeve të Channel 12.
Ndërkaq, mediat angleze kanë raportuar më herët se Shtetet e Bashkuara dhe vendet arabe kanë nisur bisedimet me Iranin për armëpushim në të gjitha frontet e luftës.
Sipas këtyre raportimeve, Izraeli aktualisht nuk është i përfshirë në bisedime, por zyrtarët e lartë janë vendosur në dijeni.
Rrjeti televiziv theksonte më tej se nuk ishte e qartë se si do të ndikonin përpjekjet për armëpushim në Rripin e Gazës, i cili është më kompleks se pjesa tjetër e fronteve për shkak të qëndrimit të Izraelit për të vazhduar luftën edhe pas një marrëveshjeje të mundshme pengjesh, në mënyrë që të sigurohet se Hamasi nuk mund të përbëjë më kurrë një kërcënim dhe kërkesa e grupit terrorist për një tërheqje të plotë të Izraelit në çdo marrëveshje.
“Aktualisht jemi në një pozicion të pushtetit, një armëpushim do të jetë sipas kushteve tona, duke përfshirë një tërheqje të [Hezbollahut] përtej Lumit Litani dhe çmontimin e të gjitha vendeve ushtarake të Hezbollahut në zonat afër kufirit,” tha një zyrtar i lartë izraelit.
Që kur Hezbollahu filloi lëshimin e raketave përtej kufirit të Libanit një ditë pas sulmit të 7 tetorit 2023 të Hamasit ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Gaza dhe luftimet e mëvonshme në të gjithë rajonin, zyrtarët e Hezbollahut kanë thënë vazhdimisht se nuk do të ndalen derisa Izraeli t'i japë fund konfliktit në Rripin e Gazës.
/rtsh.al/