RTSH 24 Live

Politikë

Përfundon takimi i Stabilizim Asocimit BE- Shqipëri, krerët e delegacioneve: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE

02/12/2022

Përfundon takimi i Stabilizim Asocimit BE- Shqipëri, krerët e delegacioneve: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE

Ka përfunduar takimi i 15-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, që u zhvillua në Bruksel më 1 dhe 2 dhjetor. Dy bashkëkryetarët Manolis Kefalogiannis dhe Taulant Balla, dolën me një deklaratë të përbashkët, duke nënvizuar se takimi është shenjë e qartë se dy parlamentet kanë si qëllim integrimin e Shqipërisë në BE.

Sipas deklaratës së përbashkët të bashkëkryetarëve, në takim ka patur shkëmbime mendimesh për të gjitha çështjet që ishin në axhendë, si dhe u miratua një set tjetër rekomandimesh të plota.

 “Në datat 1 dhe 2 dhjetor 2022, Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri zhvilloi takimin e tij të 15-të. Ky ishte takimi i dytë për vitin 2022, pas takimit të suksesshëm në Tiranë, në muajin shkurt. Këto takime janë një shenjë e qartë se të dy parlamentet kanë një interes të madh për të pasur një dialog dinamik dhe për të mbështetur në mënyrë pro aktive procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, i cili ka marrë një shtysë të fortë me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në muajin korrik, dhe me nisjen e ardhshme të procesit screening. Kemi pasur shkëmbime mendimesh të sinqerta dhe produktive për të gjitha çështjet që kishte agjenda. Jemi krenarë që qasja jonë e përbashkët, e orientuar drejt konsensusit, na mundësoi dhe një herë ta mbyllim takimin tonë duke miratuar një set tjetër rekomandimesh të plota që pasqyrojnë qëndrimet tona të përbashkëta për një numër të madh çështjesh, përfshi vlerësimet gjeo-politike dhe solidaritetin tonë të palëkundur me Ukrainën dhe dënimin e agresionit rus, arritjet dhe sfidat në procesin e reformave, mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshi të drejtat e pakicave dhe lirinë e medias, si dhe perspektivën për përjashtimin e tarifave roaming midis Shqipërisë e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe vendeve anëtare të BE-së”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri në Bruksel u mbajt vetëm pak ditë para Samitit BE-Ballkani-Perëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë më 6 dhjetor.

/rtsh.al/