RTSH 24 Live

Aktualitet

Përballimi i fluksit në Morinë, plan i përbashkët mes dy policive kufitare

15/04/2024

Përballimi i fluksit në Morinë, plan i përbashkët mes dy policive kufitare

Sezoni turistik është në nisje të tij ndërsa pritet fluks i lartë qytetarësh e mjetesh që hyjnë në Shqipëri përmes pikave të kalimit kufitar me Kosovën.

Morini është pika kufitare me e madhja e përgjatë sezonit do të ketë personel shtesë nga policitë kufitare të Shqipërisë e Kosovës për të menaxhuar sa më mirë hyrje-daljet.

Kolonel Nexhmi Krasniqi, komandant i Policisë Kufitare në Rajonin Jugor të Kosovës thotë se ka koordinim shumë të mirë mes dy policive ndërsa ka hyrë në fuqi edhe marrëveshja e përbashkët për kalimin e kufirit pa kontrolle përgjatë nëntë muajve të vitit.

Pika e përbashkët kufitare e Morinit mban peshën kryesore të hyrje daljeve në Shqipëri.

Kolonel Krasniqi thotë se përgjatë vitit 2023 më shumë se 15 milionë hyrje-dalje janë shënuar e ky numër pritet të rritet këtë vit, përfshirë edhe shkëmbimet tregtare mes dy shteteve.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet parandalimit të trafiqeve të paligjshme e kontrabandës, e në këtë kontekst mbi 100 forca të përbashkëta policie e njësi speciale kanë krehur zonën përgjatë vijës kufitare.

Ditë më parë, bashkëpunimit dypalësh për një sezon turistik sa më të mirë i parapriu edhe një aksion për pastrimin e pikës së përbashkët kufitare dhe dy anët e Rrugës së Kombit në hyrje të kësaj pike.

Gazetar: B. Muçmata

 

/rtsh.al/