RTSH 24 Live

Aktualitet

Hoxha: RTSH ka qenë si shkollë për mua, s’na lejoheshin lapsuset dhe ndryshimet në paraqitje

29/04/2024

Hoxha: RTSH ka qenë si shkollë për mua, s’na lejoheshin lapsuset dhe ndryshimet në paraqitje

Teksa sot bëhen plot 64-vite nga krijimi i televizionit publik që bashkon të gjithë shqiptarët, emocionet teksa ngjiste shkallët e këtij institucioni ku ka punuar si anonçuese, nuk i ka përmbajtur dot Iva Hoxha.

Kjo e fundit e ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” ka rrëfyer fillimet e saja në Televizionin Publik Shqiptar. Hoxha u shpreh se RTSH-ja për të, ka qenë një shkollë e mirë, ndërsa kujton se nuk ka pasur tolerancë në lidhje me lapsuset apo paraqitjen fizike.

Ka qenë një shkollë e mirë për mua RTSH. Në kohën time, kur kam ardhur unë, thjesht: fillo. Nuk ka qenë një regjisor të merrej me ty. Unë them se për talentin kam fituar.

Tolerancë nuk ka pasur fare, jo vetëm për lapsuset, por edhe për paraqitjen. Nëse e tejkaloje nga korzinat që ishin vendosur, ta thoshin njëherë. Ka qenë një grimiore që më ka lyer për herë të parë, Zhani Petushi dhe ne thoshim: uu erdhi. Se Zhanit i kishin thënë që do i lyesh ti dhe do i kontrollosh në studio: nëse kanë bërë një vizë të syrit më shumë se ty, do na thuash. Dhe bëheshe problem.

Unë nuk rrezikova asnjëherë. Më ndodhi njëherë që do dilja në anonçim dhe ishim drejtpërdrejtë.

Më thërrasin nga studio dhe më thonë: hiqi vathët. Unë hoqa vëthët dhe thashë: mirëmbrëma!, sikur nuk kishte ndodhur asgjë”, rrëfen ajo.

Hoxha solli në vëmendje momentin dhe emocionet kur fitoi konkursin për të punuar pranë Televizionit Publik Shqiptar.

“Isha 16-vjeç dhe në atë moshë ke ëndrra të mëdha dhe se di çfarë drejtimi do marrë jeta juaj. Në televizion hapet një konkurs. Erdha me fat në Televizion. Në momentin që kam konkurruar kishte shumë vajza të famshme, të kualifikuara”, deklaroi Hoxha.

Hoxha vuri në pah gjithashtu edhe ndryshimet që ka pësuar Radio Televizioni Publik shqiptar dhe punën e mirë të bërë nga drejtuesit.

“U përlota sapo hyra në ambientet e RTSH se kisha 2 vite e gjysmë, me kast nuk kam ardhur. Ngarkohem me emocione dhe për këtë arsye nuk e kam shkelur këtë institucion.

Në këto shkallë, sa mijëra herë kam shkelur. Më bën përshtypje disa ndryshime, kanë nxjerrë dhe pllakat e dikurshme dhe mu bë qejfi. Pash një lloj ndryshimi. Televizioni ka ecur shumë para. Ka ndryshime kolosale, punonjësit e përkushtuar. Më bëhet qejfi shumë”, deklaroi ajo.

/rtsh.al/