RTSH 24 Live

Politikë

PDIU kërkon heqjen e Ligjit të Luftës me Greqinë, Idrizi: I jep fund sekuestros mbi pronat e shqiptarëve

18/07/2024

PDIU kërkon heqjen e Ligjit të Luftës me Greqinë, Idrizi: I jep fund sekuestros mbi pronat e shqiptarëve

PDIU ka kërkuar nga Kuvendi që të votojë një projekt deklaratë që kërkon heqjen e ligjit të luftës me Greqinë dhe nisjen e një diskutimi ndërinstitucional për t’i dhënë fund pasojave juridike pronësore që lidhen me këtë ligj.

Shpëtim Idrizi e ka cilësuar ligjin si absurditet juridik e historik që vijon prej 84 vitesh, në një kohë që Shqipëria dhe Greqia kanë së bashku një traktat miqësie dhe janë anëtare të NATO-s.

Gjatë fjalës në Kuvend, Idrizi tha se ky ligj ka vendosur sekuestro mbi pronat e shqiptarëve, ku trashëgimtarët e tyre privohen nga e drejta e tyre themelore.

“Është dëshmi e politikës tonë paqësore për të gjetur një zgjidhje pas 84 vite lidhur mbi një absurd juridik të mbështetur mbi një absurd historik. Kjo deklaratë vlerësojmë këto marrëdhënie dhe nivelin e  mirë mes palëve dh vullnetin për të përmirësuar ato, të dy vendet janë anëtare të NATO-s dhe në këtë kuadër bashkëpunojmë pa rezerva e për sigurinë tonë të përbashkët. Vlerësojmë kontributin e Greqisë për procesin e integrimit në BE. Mes dy vendeve ka një trajtat miqësie dhe fqinjësisë së mirë. Por ndryshe nga ky traktat dhe vullneti politik i dyanshëm, ligji i luftës i 1940 mbetet ende në fuqi dhe prodhon efekte negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte. Ligji i luftës dhe sekuestro mbi pronat e shqiptarëve është në fuqi duke ushtrua pengesa mbi të drejtat themelore të shqiptarëve. Deklarata është në instrument i qëndrimeve politike nga ana e parlamentit për një çështje me interes kombëtar si ligji i luftës që Greqia mban me ne, ky ligj është një fyerje për dinjitetin, integritetin dhe sovranitetin tonë kombëtar dhe nuk ka vend në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. I takon këtij parlamenti që të tregojë që Shqipëria është paqedashës dhe i pavarur”, tha Idrizi.

Kreu i PDIU-së u shpreh se kjo deklaratë shërben për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona mbi respektin e ndërsjellët.

“Ta ngremë këtë çështje në nivelin më të lartë institucional dhe ndërkombëtar. Kjo deklaratë kërkon zyrtarisht nga parlamenti i Greqisë heqjen e ligjit të luftës dhe të gjithë pasojave juridike pronësore. Kjo do na lejonte të ndërtojmë marrëdhëniet mbi respekti e ndërsjellët dhe klimë më të mirë bashkëpunimi. Duhet ta sjellim dialogun me Greqinë në një teren konkret dhe jo të kujtohemi për këtë ligj sa herë kemi kriza ciklike me Greqinë. Është nxitje në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe t‘i japim fund situatës absurde dhe të gjitha pasojave juridike që burojnë nga ky ligj”, tha Idrizi.

/rtsh.al/