Ish-kryeministri Sali Berisha do të përballet këtë të hënë (20 janar) me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar (SPAK) në lidhje me akuzat e korrupsionit në dosjen “Partizani”.
Në të njëjtën ditë, strukturat e Partisë Demokratike kanë thirrur një protestë të dytë përpara zyrave të SPAK-ut, duke akuzuar institucionin si një vegël të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama për përndjekje politike.
Protesta pritet të nisë në orën 09:30, ndërsa Berisha dhe mbështetësit e tij vazhdojnë të kundërshtojnë masat e marra ndaj tij, përfshirë kërkesën e SPAK-ut për rikthimin e arrestit.
Kujtojmë se më 6 janar Berisha u paraqit para SPAK në zbatim të vendimit të Apelit të GJKKO, ndërsa mbështetësit e tij, protestuan para Prokurorisë së Posaçme.
Pak ditë më parë (16 janar), Gjykata e Posaçme e Apelit zbardhi vendimin për masën "detyrim paraqitje" ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili është në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit "Partizani". Sipas vendimit, nuk janë paraqitur prova apo elementë të rinj që të vërtetojnë rrezikun e arratisjes ose dëmtimin e provave nga Berisha.
Në vendim argumentohet se Berisha ka kryer tashmë një vit “arrest shtëpie”, masë që iu vendos për shkak të shkeljes së mëparshme të “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjithsesi, paralajmëroi se nëse Berisha nuk respekton këtë masë, organi i akuzës mund të kërkojë një masë sigurimi më të rëndë.
Ky vendim i lejon Sali Berishës të vazhdojë aktivitetin e tij politik, ndërsa vijon procesi hetimor nga SPAK për dosjen e ish-kompleksit "Partizani".
/RTSH/