RTSH 24 Live

Politikë

PD akuzon PS për propagandë zgjedhore, mosdakordësi edhe për kalendarin

3 orë para

PD akuzon PS për propagandë zgjedhore, mosdakordësi edhe për kalendarin

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve nuk u arrit dakordësia për miratimin e kalendarit të punimeve parlamentare për periudhën 20 janar–7 shkurt 2025.

Debati u përqendrua kryesisht te shqetësimet e ngritura nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët akuzuan mazhorancën për shkelje të Kodit Zgjedhor në prag të zgjedhjeve të 11 majit.

Deputetja Jorida Tabaku kritikoi nismën për heqjen e taksave, duke argumentuar se miratimi i saj gjatë një viti zgjedhor është i ndaluar me ligj.

"Propozimet e sjella në javët e fundit, përveçse në shkelje të Kodit, janë edhe propozime për pakicën. Grupi parlamentar i PD-së ka paraqitur 65 iniciativa ligjore, nga të cilat një pjesë kanë vite që flenë në parlament. Kemi propozuar dy të fundit edhe për skandalin e mikrokredive dhe mbrojtjen e konsumatorëve, ndërkohë që diskutohet propozimi i mazhorancës, i z. Klosi për të përjashtuar 10 vite nga taksat industrinë e turizmit, të hoteleve me 5 yje. Këto propozime janë për pakicën.

Detyrimet që ka Kuvendi i Shqipërisë lidhen së pari me Kodin Zgjedhor, me ndryshimet e OSBE-ODIHR-it. Është një rekord botëror, besoj, që për 12 vite Parlamenti nuk ka sjellë asnjë produkt për t'i akomoduar ato rekomandime" vjedhja dhe blerja e votës, ndikimi kriminal, sekreti i votës. Parlamenti po e mbyll sesionin përsëri pa i bërë ndryshimet e nevojshme," u shpreh znj. Tabaku.

Në përgjigje, Partia Socialiste mbrojti qëndrimin se puna parlamentare dhe qeverisëse nuk duhet të ndalet, pavarësisht periudhës zgjedhore.

Mazhoranca theksoi se është e angazhuar për respektimin e të gjitha parashikimeve të Kodit Zgjedhor, por vuri në dukje se çdo nismë që ka hyrë në procedurë parlamentare do të trajtohet me prioritet, në përputhje me interesat e qytetarëve dhe funksionimin normal të institucioneve.

Përplasjet në Konferencën e Kryetarëve e shtynë miratimin e kalendarit parlamentar, i cili do të kalojë për votim në seancën plenare të ardhshme.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/