Kreu i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një komunikim me gazetarët më pak se 4 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 majit, deklaroi se do i kërkojë qeverisë nëpërmjet një akti normativ, zgjatjen e vlefshmërinë së dokumenteve të identifikimit për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Po ashtu, ndërsa foli për Kodin Zgjedhor, Celibashi u shpreh se do i drejtohet Kuvendit me një kërkesë për të ndryshuar strukturën që do të merret me vlerësimin dhe numërimin e votave të diasporës.
Ai theksoi se numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit do të kryhet nga një komision i përbërë gjysmë për gjysme nga përfaqësues të opozitës dhe të pozitës. Celibashi shtoi se do të ketë dhe një sekretar teknik të caktuar nga KQZ-ja, pa të drejtë vote.
“Numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit do të bëhet nga një komision i përbërë në gjysmën e tij nga përfaqësues të opozitës dhe në gjysmën tjetër përfaqësues të pozitës. Dhe do jetë një sekretar teknik i caktuar nga KQZ pa të drejtë vote. Do jetë 2 me 2 ose 3 me 3, në përbërje ky komision.
Po kështu, në këtë mënyrë do jetë dhe përbërja e grupeve të numërimit, do përbëhen në mënyrë të balancuar nga përfaqësues të opozitës dhe të pozitës. Procesi i numërimit do zhvillohet në një ambient sikurse zhvillohet dhe numërimi i fletëve të votimit brenda vendit.
Jo domosdoshmërisht do jenë ambientet e KQZ, por një ambient që ofron nga pikëpamja teknike edhe hapësirës mundësi për ta zhvilluar në mënyrë të hapur, transparente procesin e numërimit”, u shpreh Celibashi.
Kërkesa e depozituar nga KQZ dhe e kërkuar nga një grup deputetësh, është miratuar në parim nga Kuvendi, i cili do e hedhë në votim në seancë plenare. Konkretisht, Kuvendi do votojë për disa ndryshime të Kodit Zgjedhor si më poshtë:
Neni 25/1
Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor
- Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin e fletës së votimi dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhen nga KQZ.
Neni 25/2
Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor
- Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.
- Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara nga KQZ numërohen dhe vlerësohen në vendin e numërimit të votave nga jashtë të caktuar nga KQZ.
- Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëjtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse.
- Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga KSHZ. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e pozitës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e opozitës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nent 30 dhe 31 të këtij Kodi. Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, KSHZ mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision.
- Për numërimin dhe vlerësimin e votave KSHZ cakton grupe numërimi të përbërë nga dy anëtarë. Një anëtar propozohet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe anëtari tjetër nga partia më e madhe e opozitës parlamentare.
- Rregullatori, me propozimin e Komisionerit, përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.
/rtsh.al/