RTSH 24 Live

Politikë

PD propozim ligjor në Kuvend: Të bëhet rimbursimi i pagesave për taksimin e profesioneve të lira

18/09/2024

PD propozim ligjor në Kuvend: Të bëhet rimbursimi i pagesave për taksimin e profesioneve të lira

Grupi parlamentar i PD-së ka depozitua një propozim ligjor në Kuvend, ku kërkohet rimbursimi i pagesave të bëra nga profesionet e lira, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e taksimit të tyre me 15 %.

Propozimi është firmosur nga kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi dhe deputetja Jorida Tabaku, të cilët e konsiderojnë të padrejtë mosveprimin e qeverisë për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

"Ky është propozimi ligjor që, bashkë me z. Bardhi, po dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë. Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t'u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton" tha Tabaku.

Bardhi theksoi rëndësinë e mbrojtjes së profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare.

"Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të tyre dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend," deklaroi Bardhi.

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi tatimin 15 % për profesionet e lira që kanë të ardhura deri në 14 milionë lekë, ndërsa ata që marrin mbi 14 milionë lekë do të tatohen me 23%.

Vendimi i “Kushtetueses” u dha në qershor 2024, ndërsa ligji nisi zbatimin e tij në 1 Janar 2024, ku tashmë qeveria duhet të rikthejë tatimet e mbledhura gjatë kësaj kohe.

/rtsh.al/