RTSH 24 Live

Ekonomi

PD nismë ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve nga mikrokreditë dhe sektori bankar

06/01/2025

PD nismë ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve nga mikrokreditë dhe sektori bankar

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, paraqiti të hënën një nismë ligjore me qëllimin, sipas saj, “për të mbrojtur konsumatorët dhe pronat e tyre nga abuzimet në sektorin e mikrokredive dhe atë bankar”.

“Viti 2024 do mbahet mend nga të gjithë dhe për skandalin e mikrokredive. Mijëra konsumatorë të kredive të vogla, të kredive që merren shpejt, fatkeqësisht u ndodhën përpara një skeme piramidale, një skeme korruptive që i detyroi ato të vendosin në rrezik dhe pronën e tyre. Fatkeqësisht pati dhe humbje jetësh”, thekson Tabaku në një video postuar në rrjetet sociale.

Sipas saj, Partia Demokratike i propozoi Kuvendit të Shqipërisë, ngritjen e një grupi pune për të marrë masa që kjo të evitohet në të ardhmen, që të evitohet fakti që konsumatorët të liheshin në mëshirë të fatit dhe të mos kishte mbrojtje për kreditë e tyre, të mos rrezikohet prona e tyre.

“Pritëm për thuajse 6 muaj dhe kur kjo nuk ndodhi kemi arritur që të përafrojmë të gjithë rregulloren e Bashkimit Evropian për ta përshtatur atë me legjislacionin shqiptar”.”, argumenton Tabaku.

Ajo nënvizon se propozimi për mbrojtjen e konsumatorit në sektorin bankar bëhet për të pasur standarde më të mira për të mbrojtur konsumatorët, për t’i siguruar atyre informacion, por edhe për t’i siguruar atyre mbrojtjen e pronës së tyre.

Sipas deputetes së PD-së, mijëra qytetarë shqiptarë u përballën me një skemë korruptive që vuri në rrezik pronën e tyre dhe i detyroi të përballonin situata të vështira financiare.

“1700 prona u sekuestruan dhe pothuajse 100 mijë qytetarë u përfshinë në një skemë të paparë korruptive, që la shumë familje në mëshirë të fatit”, deklaron Tabaku.

Sipas saj, propozimi përfshin masa konkrete për të siguruar: Informim të plotë dhe të qartë për konsumatorët në lidhje me kushtet e kredive; Mbrojtjen e pronës dhe të ardhurave të konsumatorëve nga abuzimet; Forcimin e mbikëqyrjes dhe standardeve në sektorin bankar dhe financiar.

Tabaku i bëri thirrje Kuvendit që të miratojë këtë projektligj, duke e konsideruar atë një hap të domosdoshëm drejt mbrojtjes së konsumatorëve dhe ndërtimit të një sistemi financiar më të drejtë dhe më të sigurt.

/rtsh.al/