RTSH 24 Live

Ekonomi

Në 2024 ra besimi në ekonomi, ndjesia për ndërtimin dhe shërbimet me -5,5%

07/01/2025

Në 2024 ra besimi në ekonomi, ndjesia për ndërtimin dhe shërbimet me -5,5%

Fundi i 2024 shënoi rënie sa i përket Treguesit të Ndjesisë Ekonomike, i cili u tkurr me 3.8 pikë në muajin dhjetor.

Pavarësisht rënies, ky tregues qëndron me më shumë se 8 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë konstaton se përgjatë muajit dhjetor të gjithë treguesit e besimit të sektorëve të biznesit kanë pësuar dobësim, ku rënien më të theksuar e shfaqën sektorë si ndërtimi dhe shërbimet, respektivisht me 5.5 pikë përqindje.

Rënia e ndjesisë në sektorin e ndërtimit u përcaktua kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues dhe për tkurrjen e numrit të kontratave porositëse. Ndërkohë pritshmëritë për çmimet që vendosin ndërtuesit në të ardhmen kanë regjistruar rritje.

Në rënien e treguesit të besimit në shërbime kontribuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe për nivelin aktual të kërkesës. Ndërkohë pritjet për nivelin e punësimit dhe ato për ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për lart.

Vrojtimi i Bankës konstaton rënie më të lehtë sa i përket treguesit të besimit të industrisë, i cili ra me 1 pikë përqindje në muajin dhjetor, besimi në tregti u zvogëlua me 3.3 pikë përqindje në të njëjtë periudhë dhe treguesit e besimit konsumator regjistruan një rënie me 1.7 pikë përqindje.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/