Tokat e Myzeqesë mbillen me perime në 12 muajt e vitit. Bimët që kultivohen janë të gjitha hibride për në serra.
Vetëm në një fidanishte në muajin janar janë porositur një milion bimë kastraveci të llojit "konishon" për eksport.
Në shumicën e rasteve janë gratë ato që i përgatisin hibridet dhe shartesat. Ato thonë se kërkesat për bimët hibride janë gjithnjë në rritje.
"Domatja, trangulli, speci kërkohen më shumë dhe mbillen çdo sezon," tregon një fermere.
Domatja hibride zë mbi 60 për qind të kërkesave për mbjellje, 25 për qind e zë kastraveci, më pas vijnë specat dhe bostani, patëllxhani e qepët.
Farërat autoktone janë zhdukur dhe punohet vetëm me hibride të blera jashtë. Prodhuesit, duke kërkuar fidanë që i rezistojnë kohës dhe u japin prodhim të bollshëm, kanë hequr dorë nga farërat vendase, siç ishte domatja e dikurshme "zemër kau".
"Nuk bëhet fjalë për ndryshim të shijes. I ruan të gjitha cilësitë. Bëhet fjalë për shartesa të sigurta, pra bëjnë bimë normale që japin prodhim normal," thotë agronomi Beshir Sina.
Agronomët pohojnë se është hequr dorë edhe nga përdorimi i hormoneve. Ata shpjegojnë se deformimet që shihen tek frutat janë nga faktorët ekologjikë dhe jo nga përdorimi hormonal.
"Nuk është përdorimi i hormoneve. Kur bima ka azot të tepërt bën deformimin e kokrrës së domates. Kur ka temperatura të ulëta bën prapë deformime," shton z. Sina.
Pothuajse mbi 90 për qind e fermerëve mbjellin me synimin për t'i eksportuar prodhimet e tyre.
Fermerët, pas dështimeve ndër vite, kanë mësuar se eksporti dhe lidhja e kontratave me jashtë sjellin shitje të garantuara me çmime fikse.
Këtë garanci ata e kanë vetëm nga mbjelljet e disa hibrideve në serrat diellore, sipërfaqet e të cilave janë shtuar.
/rtsh.al/