RTSH 24 Live

Ekonomi

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave: Nga 1 janari, Shqipëria pranon Certifikatat e Qarkullimit EUR.1

06/01/2025

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave: Nga 1 janari, Shqipëria pranon Certifikatat e Qarkullimit EUR.1

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se nga data 1 janar 2025, Shqipëria ka filluar të pranojë Certifikatat e Qarkullimit EUR.1 të lëshuara në mënyrë elektronike nga vendet pjesëmarrëse në Konventën Pan-Euro-Mediterriane.

EUR.1 njihet si certifikata më e rëndësishme në tregtinë e jashtme në kuptimin ligjor, veçanërisht në kuadrin e disa marrëveshjeve dy dhe shumëpalëshe të sistemit preferencial pan-evropian (marrëveshja e asocimit me Bashkimin Evropian).

"Bazuar në njoftimin e publikuar më 30 dhjetor 2024, në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, në lidhje me lëshimin elektronik të certifikatave të qarkullimit EUR.1, deri tani vendet të cilat lëshojnë certifikata elektronike dhe që vendi ynë zbaton një marrëveshje të tregtisë së lirë janë Norvegjia dhe Turqia.", thuhet në njoftim.

Çfarë është Certifikata e origjinës EUR.1?

Certifikata e origjinës EUR.1 është një dokument që vërteton origjinën preferenciale të mallrave me origjinë nga një palë kontraktuese si: vendet e BE-së, vendet CEFTA, vendet EFTA, Turqia, Mbretëria e Bashkuar që importohen në Shqipëri, apo eksportohen nga Shqipëria drejt këtyre vendeve me qëllim përfitimin e trajtimit preferencial.

Kjo certifikatë lëshohet nga autoritetet doganore pranë të cilës kryhen procedurat e eksportit, mbi bazën e aplikimit të bërë me shkrim nga eksportuesi, apo përfaqësuesi i tij zyrtar.

Shpjegim

Çdo marrëveshje e tregtisë së lirë (dy dhe shumëpalëshe) përcakton se cilat produkte mbulohen dhe cilat prej tyre mund të përfitojnë nga tarifat më të ulëta (ose jo). Kushti i "origjinës" është që produktet duhet të jenë prodhuar, përpunuar ose transformuar plotësisht në një vend anëtar.

Lëshimi

Aplikanti për EUR.1 (eksportuesi) duhet të jetë në gjendje të dëshmojë origjinën e mallrave, gjë që zakonisht bëhet përmes paraqitjes së faturës së furnitorit që tregon origjinën e produktit. Kjo quhet deklarata e furnizuesit (SD). Më pas, eksportuesi plotëson formularin e aplikimit EUR.1 dhe ia dorëzon autoriteteve kompetente (zakonisht zyrës doganore) së bashku me faturën e furnizuesit. Autoritetet e vërtetojnë formularin me vulë dhe ia dërgojnë atë eksportuesit.

Përdorimi

EUR.1 përdoret për të certifikuar origjinën e një produkti dhe nëse është e aplikueshme, për të përfituar nga kushte të favorshme tregtare (kryesisht tarifat) sipas një politike tregtare preferenciale të BE-së.

Për të përfituar nga norma preferenciale gjatë një zhdoganimi, një certifikatë e vlefshme qarkullimi mallrash EUR.1 duhet t'i dorëzohet autoritetit kompetent (ndoshta një zyrë doganore), në të cilën prodhuesi vërteton origjinën e mallrave.

/rtsh.al/