RTSH 24 Live

Politikë

PD, Bylykbashi: Një qeveri teknike, që nuk drejtohet nga Rama, garanton zgjedhje të lira

10/09/2024

PD, Bylykbashi: Një qeveri teknike, që nuk drejtohet nga Rama, garanton zgjedhje të lira

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi të martën në një konferencë për mediet se parashikimi i Kryeministrit Rama se Partia Demokratike do të marrë në zgjedhjet e 2025 më pak mandate se në vitin 1997, është paralajmërim ogurzi për fatin e votës së shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre që jetojnë jashtë, dhe që për herë të parë do të kenë të drejtën e votës.

Sipas tij, OSBE i quajti votimet e 1997 vetëm si “të pranueshme për shkak të rrethanave të rënda” dhe konstatoi se në rreth 70% të vendit, kandidatët e Partisë Demokratike u penguan nga bandat të bënin fushatë.

“Votimet e vitit 1997 ku mbretëroi terrori i bandave të Zani Çaushëve të lidhura me Partinë Socialiste, mbi kandidatët, militantët dhe simpatizantët e PD, janë standardi që Kryeministri Edi Rama ofron për shqiptarët për zgjedhjet e vitit 2025”, u shpreh Bylykbashi.

Sipas tij, Edi Rama u vë përballë zgjedhjeve bandat dhe paratë e tyre kriminale, përdorimin masiv e brutal të shtetit, parasë shtetërore për të blerë vota, inspektorateve, policisë, shërbimit informativ dhe administratës së politizuar e të kthyer në rrjet patronazhimi.

“Kjo deklaratë e Edi Ramës vërteton edhe një herë se një qeveri teknike, që nuk drejtohet nga Edi Rama, dhe që garanton zgjedhje të lira e të ndershme është domosdoshmëri për shqiptarët”, deklaroi Bylykbashi.

Ai tha se Partia Demokratike do t’i përgjigjet fort, në mënyrë të plotë dhe proporcionale dhe me çdo mjet legjitim, skenarit të Edi Ramës.

“Edhe njëherë, që të shmangen skenarët e ’97-ës, Partia Demokratike kërkon lirimin e Sali Berishës, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Bylykbashi.

/rtsh.al/