RTSH 24 Live

Aktualitet

Dekonspirimi i aksionit për arrestimin e Çopjave, SPAK sekuestron telefonin e drejtorit të policisë Elbasan

17/09/2024

Dekonspirimi i aksionit për arrestimin e Çopjave, SPAK sekuestron telefonin e drejtorit të policisë Elbasan

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vënë nën hetim 10 agjentë policie, si dhe drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit në lidhje me dyshimet për dekonspirim të operacionit për arrestimin e “Çopjave”.

Lajmi u bë me dije nga burime jo zyrtare të SPAK, sipas të cilave Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar gjithashtu edhe telefonin e Drejtorit të Policisë Elbasan, Ilir Prodës.

Referuar të njëjtave burime, mësohet se tre drejtues policie të cilët kanë pasur dijeni mbi operacionin që do të zhvillohej nga SPAK, janë marrë në pyetje.

Kujtojmë se në muajin korrik SPAK ndërmori një aksion në Tiranë, Elbasan dhe Durrës duke goditur elementë të botës së krimit.

Kujtojmë se SPAK lëshoi 33 urdhërarreste, nga të cilat arritën të ekzekutoheshin vetëm 13 prej tyre.

Mes personave për të cilat SPAK kërkonte arreste, ishin Erzen Çopja, Franc Çopja dhe Hajdar Bako alias Çopja.

Gjatë zbardhjes së komunikimeve të “SkyECC”, SPAK zbuloi se Franc dhe Hajdar Çopja e nisën aktivitetin e tyre kriminal rreth viteve 2006 – 2007, duke shpërndarë në sasi të vogla kokaine, derisa arritën të zgjeroheshin edhe ne vende të tjera të Evropës. Ato u kthyen në një nga grupet më të rrezikshme kriminale në Elbasan.

/rtsh.al/