RTSH 24 Live

Politikë

PD, Bardhi: Kemi pensionet minimale e mesatare më të ulëtat në Ballkan, Rama, në 12 vite, s'garantoi pensione dinjitoze

8 orë para

PD, Bardhi: Kemi pensionet minimale e mesatare më të ulëtat në Ballkan, Rama, në 12 vite, s'garantoi pensione dinjitoze
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi përmes rrjeteve sociale se Shqipëria është vendi me pensionin minimal ose mesatar më të ulët në Rajon.

Sipas Bardhit, pensionistët shqiptarë përfitojnë në rastin më të mirë një pagesë më pak se gjysma e pagës së pensionistëve në Mal të Zi, Serbi ose Maqedonia e Veriut.

“Shqipëria ka dyfishuar të ardhurat buxhetore në 10 vitet e fundit, por mbi 500 mijë pensionistë i kanë aktualisht të ardhurat reale më të ulëta se në vitin 2014.”, shkruan Bardhi.  

Bardhi deklaron se ndërsa rritja e çmimeve të shportës po ndodh me ritme të shpejta, kjo nuk ka ndodhur në vitet e fundit me masën pensionit.

“Mbi 500 mijë personat që morën pension të lartë në vitin 2023 kishin të ardhura mesatare mujore prej 18 341 lekësh, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Kjo është 26% më shumë se në vitin 2014, ndërsa inflacioni është rreth 34%. Për rrjedhojë, pensioni real ka rënë me të paktën 8% gjatë qeverisjes së Edi Ramës.”, shkruan Bardhi.

Sipas tij, “qeveria e korruptuar e Edi Ramës ka para për të paguar për inceneratorët që nuk ekzistojnë, i kushtojnë rrugëve dy herë më shumë se vlera reale, apo për kontratat e koncesionit shëndetësor për shërbime shëndetësore që qytetarët nuk i përfitojnë.”

“Ndërkohë për pensionistët nuk gjeti asnjëherë fonde gjatë 12 viteve të qeverisjes për të garantuar një pension me dinjitet, një rritje reale dhe të prekshme për të përballuar kostot e rritura të jetesës”, mbyll postimin Bardhi.

/rtsh.al/