RTSH 24 Live

Politikë

Buxheti - Nesër seancë maratonë, merr pjesë opozita që propozon minimumin jetik 200 euro në muaj

12 orë para

Buxheti - Nesër seancë maratonë, merr pjesë opozita që propozon minimumin jetik 200 euro në muaj

Projektbuxheti i vitit 2025 do të diskutohet të hënën në seancë plenare në parim. Vitin e ardhshëm, buxheti i Shtetit do të jetë në shifrën e 8.2 miliardë lekëve, niveli më i lartë në historinë e vendit.

Ai do të jetë rreth 4 për qind më i lartë se buxheti i këtij viti dhe i rritur me mbi 20 përqind krahasuar me atë të vitit 2022.

Sërish janë dy ministri që edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm do të kenë portofolin më të madh dhe ato janë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në projekt-buxhetin e vitit 2025 është parashikuar që serish vendi jonë të marrë një borxh në vlerën 650 milionë euro. Gjithashtu edhe borxhi publik bruto do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal. Në vitin 2025 pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8 përqind.

Buxheti vendor i vitit 2025, do të jetë rreth 13.2% më i lartë se buxheti i pritshëm vendor për vitin 2024. Rritje ne buxhetin vendor do te sjelle rritja e transfertës së pakushtëzuar në 26.2 miliardë lekë në vitin 2025. 

Për vitin qe vjen janë parashikuar të ardhura shtesë nga zbatimi i kalendarit të rritjes së akcizës në shumën prej 852 milionë lekësh, si dhe 20 përqind TVSH mbi këtë shumë të rritur akcize si dhe janë  parashikuar të gjenerohen rreth 2 miliardë lekë shtesë nga zbatimi i ndryshimeve në ligjin “Për lojërat e fatit dhe kazinotë”.

Në seancë plenare për miratimin e buxhetit merr pjesë edhe opozita e cila ishte e përfshirë edhe gjatë debateve në komisione.

Partia Demokratike ka depozituar amendamente si ajo e vendosjes së minimumit jetik 200 euro sikundër për trajtimin e minatorëve.

Gjithashtu Partia Demokratike ka paralajmëruar dhe mbajtjen e një proteste para ambienteve të Parlamentit, me datë 19 nëntor ora 17:00.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/