Prej disa ditësh, Zona për Përmirësimin e Turizmit në Gjirokastër (TID), në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, ka nisur punën për zbukurimin e Pazarit karakteristik, duke sjellë një atmosferë festive që na afron me festat e nëntorit dhe ato të fundvitit.
Nën ndriçimin e dekorit të ri, Pazari po merr një tjetër pamje – një kombinim mes traditës dhe gëzimit që këto festa sjellin.
"Kemi filluar me dekorimin e pjesës së Pazarit të Gjirokastrës. Prej tre ditësh kemi filluar dekorimin e rrugëve dhe ditët më pas do të vazhdojmë me dekorimin e Sheshit të Çerçizit, ku do të vendosen edhe shtëpiza. Ne shpresojmë për një atmosferë sa më festive gjatë ditëve të festave. Gjithë ky dekorim do të shtojë atmosferën në qytet për të gjithë qytetarët e Gjirokastrës dhe për turistët vendas e të huaj," shprehet Bjori Thana, administrator i TID Gjirokastra.
Me përfundimin e dekorit, Pazari i Gjirokastrës do të ndriçojë edhe më shumë, duke mirëpritur jo vetëm festat, por edhe të gjithë ata që duan ta jetojnë këtë atmosferë unike, duke u përcjellë më të mirat për festat që po afrojnë.
/rtsh.al/