Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka caktuar mbrëmjen e sotme detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit për ish-kryeministrin Sali Berisha mbi akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Në kuadër të hetimeve të SPAK është dhënë edhe masa e sigurisë për ish-kryeministrin Berisha lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv të ish-klubit “Partizani” në kryeqytet.
Ndërkaq, më herët policia ndaloi në aeroportin e Rinasit dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili po hetohet dhe akuzohet për privatizimin të ish klubit sportiv “Partizani”.
Sipas padisë në SPAK që është depozituar nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla në kohën kur ishte kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialist, bëhet fjalë për një pronë me rreth 10 000 m2, në qendër të Tiranës, e cila në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100 000 dollarë.
Së bashku me Malltezin është arrestuar edhe bashkëpunëtori i tij, Fatmir Bektashi. Gjithashtu, GJKKO ka kërkuar detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Berisha dhe "detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit” në lidhje me procedurat e zhvillimit të zonës së njohur si ish-kompleksi Partizani në anën perëndimore të Tiranës.
/rtsh.al/