Sllovenia është bërë vendi më i fundit i Bashkimit Europian që njeh shtetin e pavarur të Palestinës.
Vendimi u mor të martën nga shumica parlamentare, ndërsa u refuzua thirrja e opozitës për ta çuar çështjen me referendum.
Përveç Sllovenisë, edhe Spanja, Irlanda dhe Norvegjia po kryesojnë përpjekjet për të rritur presionin mbi Izraelin që t'i japë fund luftës në Gazë.
"Njohja e Palestinës sot, si një shtet sovran dhe i pavarur, u çon mesazh shprese popullit palestinez në Cisjordani dhe në Gazë," shkroi kryeministri Robert Golob në rrjetin "X".
Partia Demokratike e Sllovenisë kishte propozuar referendumin si zgjidhje për njohjen duke e cilësuar momentin e tanishëm "jo të duhur" dhe se një vendim i tillë do të vlerësonte "organizatën terroriste të Hamasit".
Propozimi në parlament kaloi me 52 vota pro dhe asnjë kundër, pasi opozita e bojkotoi seancën.
Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, Suedia, Qiproja, Hungaria, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria e kanë njohur tashmë shtetin e Palestinës. Edhe Malta ka lajmëruar se do të bëjë të njëjtë gjë së shpejti.
Që prej fillimit më 7 tetor, lufta mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas ka lënë mbi 36 mijë palestinezë të vrarë, bazuar në bilancin e publikuar nga autoritetet e Gazës. /Reuters
/rtsh.al/