RTSH 24 Live

Europë

Putin: “Konflikti në Ukrainë, i provokuar nga Perëndimi, ka marrë elementë të natyrës globale”

21/11/2024

Putin: “Konflikti në Ukrainë, i provokuar nga Perëndimi, ka marrë elementë të natyrës globale”

Rusia e ka goditur Ukrainën me një raketë të re balistike me rreze të mesme veprimi.

Kështu pranoi këtë pasdite presidenti rus, Vladimir Putin.

Putin u shfaq në TV për t’iu drejtuar Forcave të Armatosura mbi situatën në Ukrainë, raporton agjencia Tass.

Ai tha se sulmet në territorin rus nga raketat me rreze të gjatë veprimi i kanë dhënë konfliktit në Ukrainë karakteristikat e një konflikti global.

“Që nga ky moment, siç e kemi nënvizuar vazhdimisht, konflikti në Ukrainë, i provokuar më parë nga Perëndimi, ka marrë elementë të një karakteri global”.

Presidenti nënvizoi se më 19 nëntor forcat e armatosura ukrainase sulmuan objektivat në rajonin Bryansk me gjashtë raketa ATACMS dhe më 21 nëntor me sistemet Storm Shadow në rajonin Kursk.

Ai shtoi se sistemet e mbrojtjes ajrore zmbrapsën sulmin, nuk pati viktima apo dëme serioze.

Putin vuri në dukje se përdorimi i armëve me rreze të gjatë për të goditur Rusinë pa specialistë nga vendet ku janë prodhuar është i pamundur.

Sipas tij, pas këtyre sulmeve konflikti në Ukrainë ka marrë elemente të karakterit global, por përdorimi i armëve të tilla nuk do të ndikojë në rrjedhë.

/rtsh.al/