RTSH 24 Live

Botë

Paralajmëron zyrtari i lartë ushtarak: Izraeli ka aftësi të godasë çdo objektiv në Lindjen e Mesme

3 orë para

Paralajmëron zyrtari i lartë ushtarak: Izraeli ka aftësi të godasë çdo objektiv në Lindjen e Mesme
Benjamin Netanyahu dhe Herzi Halevi

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Herzi Halevi, ka dërguar një mesazh të ashpër në lidhje me një sulm të mundshëm hakmarrës ndaj Iranit, duke paralajmëruar se Izraeli ka mjetet për të “goditur çdo objektiv në Lindjen e Mesme”.

Duke vizituar bazën ajrore Tel Nof të mërkurën, Halevi tha se Izraeli e di se si "të lokalizojë objektiva të rëndësishëm" dhe do t'i përgjigjet sulmit të Iranit me sulme të "precizitetit dhe fuqisë".

“Ne kemi aftësitë për të arritur dhe goditur çdo pikë në Lindjen e Mesme. Dhe ata nga armiqtë tanë që nuk e kanë kuptuar ende këtë, do ta kuptojnë së shpejti”, tha Halevi në një videoklip të filmuar në bazë.

Ndërsa izraelitët në të gjithë vendin festojnë Vitin e Ri hebre, Rosh Hashanah, të mërkurën, Halevi tha se ushtria izraelite është ende "dhe po operon e godet në të gjitha frontet".

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dha një paralajmërim të ngjashëm menjëherë pas sulmeve raketore të së martës nga Irani, duke premtuar se Teherani "do të paguajë" për veprimet e tij.

Netanyahu akuzoi Teheranin se nuk e kuptonte "vendosmërinë e Izraelit për t'u hakmarrë" kundër armiqve të tij dhe premtoi se do të kundërpërgjigjet.

Komentet e së mërkurës i bëjnë jehonë deklaratës së parë publike të Netanyahut pasi një sulm ajror izraelit vrau Hassan Nasrallah, udhëheqësin e grupit militant Hezbollah me bazë në Liban, në Bejrut të premten.

"Nuk ka vend në Iran apo në Lindjen e Mesme që krahu i gjatë i Izraelit nuk do ta arrijë," tha ai.

/rtsh.al/