RTSH 24 Live

Botë

Papa Françesku në Marsejë, bën thirrje për të ndihmuar emigrantët

23/09/2023

Papa Françesku në Marsejë, bën thirrje për të ndihmuar emigrantët

Papa Françesku ndodhet në Marsejë në ditën e dytë të udhëtimit të tij apostolik. Mëngjesin së shtunës Ati i Shenjtë takoi zëvendës presidentin e Komisionit Evropian, Margaritis Shinas dhe zhvilloi bisedime me përfaqësues të organizatave të ndryshme të përfshira në operacioinet e ndihmës dhe shpëtimit të emigrantëve në ujërat e Mesdheut.

Gjatë ditës Bergolio do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, ndërsa vizitën do ta përmbyllë me meshën në stadiumin Velodrome.

Një ditë më parë përpara monumentit që përkujton viktimat në det, Papa Françeskun dërgoi një mesazh të qartë për emigrantët që rrezikojnë jetën në det. 

"Ne nuk mund të dorëzohemi duke parë qeniet njerëzore të trajtohen si plaçkë, të burgosur dhe të torturuar në mënyra mizore, as nuk mund të jemi më dëshmitarë të tragjedive me anije që fundosen për shkak të trafikantëve dhe indiferencës. Njerëzit që rrezikojnë të mbyten, nuk duhen braktisur, por duhen shpëtuar. Kjo është detyra e njerëzimit!” tha Papa. 

Më pas ai falënderoi organizatat që janë të përfshira në operacionet e shpëtimit në det, ku ritheksoi se emigrantët nuk janë thjesht numra, duke vënë në dukje se situata në të cilën ata ndodhen në këtë periudhë krize dhe zbarkimesh masive është mungesë e tmerrshme humanizmi.

Gazetare Vjollca Zharri

/RTSH/