RTSH 24 Live

Politikë

Palët shtyjnë shqyrtimin e ligjit elektoral, Alibeaj: Pazari i radhës PD–PS

12 orë para

Palët shtyjnë shqyrtimin e ligjit elektoral, Alibeaj: Pazari i radhës PD–PS

Në mungesë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike, Komisioni i Ligjeve ka vendosur shtyrjen e shqyrtimit të projektligjit për ndryshime në Kodin Zgjedhor në funksion të lehtësimit të votimit të diasporës.

Klotilda Bushka, në cilësinë e kryetares së Komisionit, duke njoftuar mungesën e relatorit demokrat Oerd Bylykbashi, kërkoi dakordësi nga bashkërelatori i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

"Z. Bylykbashi, në cilësinë e bashkërelatorit, ka kërkuar shtyrjen e shqyrtimit të këtyre projektakteve për ditën e nesërme," tha znj. Bushka.

Ndërsa deputeti Enkelejd Alibeaj, duke akuzuar palët për pazarin e radhës, kërkoi futjen në kalendarin e komisionit të propozimeve të depozituara në Kuvend nga vetë ai lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

"Atëkohë e prishët Komisionin e Reformës Zgjedhore, sepse donit të bënit pazar, siç e bëtë më 26 korrik, por nuk e bëtë aq mirë. Kam një propozim prej një viti e gjysmë që ka lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ju si kryetare jeni e detyruar që ato propozime t'i sillni t'i shqyrtojmë," u shpreh deputeti demokrat.

Të martën pritet që palët të diskutojnë se kush do të numërojë votat e diasporës, përfaqësues partiak apo teknicienë, mbulimin e kostove të kthimit të fletëve të votimit, si dhe kërkesën e Partisë Demokratike, që lidhet me mundësinë e emigrantëve për të votuar me ID ose pasaportën e vendeve ku jetojnë.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/