RTSH 24 Live

Aktualitet

Pal Trashaj tentoi t’i jepte fund jetës para institucionit, SPAK: Po hetojmë rastin

02/07/2024

Pal Trashaj tentoi t’i jepte fund jetës para institucionit, SPAK: Po hetojmë rastin

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka reaguar lidhur me incidentin e regjistruar para godinës së këtij institucioni, ku 63-vjeçari Pal Trashaj tentoi t’i jepte fund jetës duke pirë fostoksinë. Në reagim, SPAK bën me dije se Trashaj kishte kërkuar  të takohej me një nga hetuesit e BKH-së, lidhur me një çështje që i kishte kaluar  për kompetencë prokurorisë së përgjithshme që në vitin 2022.

Megjithatë, sipas SPAK, 63-vjeçari kishte dalë jashtë godinës së institucionit, pa pritur të merrte informacion mbi kërkesën e tij.

Në lidhje me incidentin e sotëm të qytetarit Pal Trashaj të ndodhur jashtë Prokurorisë së Posaçme, institucioni ynë i uron z. Trashaj shërim të shpejtë! Sqarojmë se qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.  Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje”, thuhet në reagimin e SPAK. 

Sipas Prokurorisë së Posaçme, tentativa e 63-vjeçarit për të vrarë veten u kuptua pasi jashtë ambienteve të SPAK mbërriti urgjenca. Prokuroria e Posaçme thekson se kanë nisur verifikimet lidhur me këtë ngjarje.

Pas disa orësh, jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj. Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij. Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj”, theksohet në reagim.

Pal Trashaj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në intubim. Ai është një nga viktimat e Micro Credit Albania, ndërsa më herët RTSH-ja ka zhvilluar edhe një intervistë me të, i cili ka treguar historinë se si u fundos me mikrokredi nisur nga një kredi të cilën e pati shlyer në një bankë të nivelit të dytë. Paratë ishin vjedhur nga punonjësit, të cilët u dënuan për këtë vepër.

Por Pal Trashaj rezultonte debitor dhe kredia e tij u shit tek Micro Credit Albania, e cila e rriti edhe më tepër shumën. Trashaj e kishte paralajmëruar këtë akt të rëndë duke treguar se nuk kishte më zgjidhje tjetër.

“Jemi shkatërruar,” tha ai në intervistën për RTSH-në.

/rtsh.al/