RTSH 24 Live

Muzikë

Orkestra simfonike e RTSH, koncert me muzikë nga Vagner, Pulek dhe Sibelius

18/03/2024

Orkestra simfonike e RTSH, koncert me muzikë nga Vagner, Pulek dhe Sibelius

Orkestra simfonike e RTSH-së vjen me koncertin e radhës me një program nga kompozitorët Riçard Vagner (o. Richard Wagner), Fransis Pulek (o. Francis Poulenc) dhe Zhan Sibelius (o. Jean), një program i pasur ku do të luhet koncert për piano nga kompozitori Pulek, koncert për violinë dhe orkestër nga kompozitori Sibelius dhe preludi nga Vagneri.

Të ftuar në këtë koncert janë solistët pianistë Enxhi Vogli Fluge dhe Sivert Aanse Fluge, si dhe violinisti i orkestrës së RTSH-së, Dejon Bendaj.

"Do të nisë me Pulekun për dy piano, një premierë në Shqipëri, më pas unë do të luaj koncertin e Zhan Sibeliusit. Është një ndër koncertet më të dëgjuara dhe të bukura të repertorit violinistik. Në fund është preludi i Vagnerit, 'Tristani dhe Izoldeja'. Programi është shumë atraktiv dhe shpresojmë t'i tërheqë edhe artdashësit," thotë artisti Bendaj.

Koncerti i orkestrës simfonike të RTSH-së dirigjohet nga maestro Gridi Kraja dhe vjen për publikun në datën 22 mars, ora 19:00 në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

/RTSH/