Leonard Luzi është arrestuar në Ibiza të Spanjës, pasi ishte shpallur në kërkim si organizatori i atentatit ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt. 47-vjeçari u arrestua gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi” në Spanjë, pikërisht për atentatin në vitin 2023 në Vlorë.
Luzi akuzohet se më 8 gusht 2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt, ngjarje që u parandalua nga policia. Luzi kishte paguar Amarildo Nikollin për vrasjen e Hajrullës dhe Matodashit, i cili u kap nga policia në momentin që do të kryente atentatin. Atij iu sekuestrua edhe pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje për të eliminuar Inez Hajrullën.
Ka qenë Amarildo Nikolli që ka treguar të gjithë ngjarjen duke bashkëpunuar me drejtësinë, që nxori edhe emrin e Leonard Luzit si organizator i këtij atentati ndaj Ervis Matodashaj, i njohur me pseudonimin “Qorri” dhe Inez Hajrulla i njohur me shkurtimin e emrit “Ini” ose me nofkën “sakati”.
Më shkurt të 2024, GJKKO ka vendosur në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Leonard Luzit për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Leonard Luzi pritet të ekstradohet në Shqipëri, ku do të përballet me akuzat dhe do të vuajë dënimin e tij.
/rtsh.al/