RTSH 24 Live

Kuriozitete

Ora e Hitlerit shitet në ankand për 1.1 milion dollarë

30/07/2022

Ora e Hitlerit shitet në ankand për 1.1 milion dollarë

Ora që i përkiste liderit nazist Adolf Hitler është shitur për 1.1 milion dollarë në një ankand në SHBA. Ora Huber, e cila i është shitur një blerësi anonim, ka të gdhendura inicialet AH si dhe 3 data, ditëlindjen e Hitlerit, ditën ku u zgjodh kancelar i Gjermanisë dhe kur partia Naziste fitoi zgjedhjet.

Ky ankand u dënua nga udhëheqësit hebrenj duke e cilësuar shitjen si "të neveritshme" dhe bënë thirrje që sendet naziste të tërhiqeshin nga ankandi.

"Është e qartë se mësimet e historisë duhet të mësohen dhe artefaktet legjitime naziste u përkasin muzeumeve ose vendeve të arsimit të lartë dhe artikujt që po shiten qartazi nuk i përkasin kësaj. Përmes këtyre ankandeve ndihmoni ata që idealizojnë atë që përfaqësonte partia naziste”, thanë liderët hebrenj.

Megjithatë, shtëpia e ankandeve, e cila ka shitur relike naziste në të kaluarën, tha se qëllimi i saj ishte ruajtja e historisë dhe se shumica e artikujve të shitur mbahen në koleksione private ose u dhurohen muzeve të Holokaustit.

"Qoftë histori e mirë apo e keqe, ajo duhet të ruhet. Nëse e shkatërron historinë, nuk ka asnjë provë që ka ndodhur”, tha shtëpia e ankandit.

Adolf Hitler që drejtonte Gjermaninë naziste ishte përgjegjës për gjenocidin e hebrenjve evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore duke vrarë rreth 6 milionë hebrenj në të gjithë Evropën e pushtuar nga Gjermania.

/rtsh.al/