RTSH 24 Live

Europë

Opozita greke kërkon reagim ndaj deklaratës së Erdoanit se "Qiproja do të ishte yni"

19/03/2024

Opozita greke kërkon reagim ndaj deklaratës së Erdoanit se "Qiproja do të ishte yni"

SYRIZA, partia kryesore opozitare në Greqi, kritikoi të martën deklaratat rreth Qipros të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdoan (o. Recep Tayyip Erdogan), duke kërkuar një reagim zyrtar nga Athina.

"SYRIZA dënon katërçipërisht deklaratat provokuese të presidentit turk rreth çështjes së Qipros. Ato cenojnë qartë 'klimën pozitive' në raportet Greqi-Turqi, tek të cilat këmbëngul edhe qeveria Micotakis. Vetëm tre muaj pasi nënshkroi Deklaratën e Athinës, Turqia edhe një herë po e shkel atë në frymë dhe letër," thuhet në njoftimin e SYRIZA-s, duke iu referuar marrëveshjes së firmosur nga kryeministri grek Kiriakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis) dhe president Erdoan nëmuajin dhjetor.

Një ditë më parë, presidenti i Turqisë foli përpara ushtarakëve të vendit gjatë një darke, ku jo vetëm mbrojti pushtimin e Qipros, por edhe deklaroi se nëse forcat turke do të kishin avancuar më në jug në vitin 1974, Qiproja do ishte tërësisht turk sot.

"Gjysmë shekulli më parë, qipriotët turq u kthyen nga pragu i gjenocidit. Në Operacionin e Paqes të vitit 1974, 498 ushtarët tanë nga të gjithë cepat e vendit, oficerë dhe civilë ranë martirë. Përkundër të gjitha presioneve, nëse nuk do të ishte për ndërhyrjen e Turqisë, as Republika Turke e Qipros Veriore dhe as qipriotët turq nuk do të ekzistonin sot. Në fakt, mbase nëse do të ishim shtyrë në jug, dhe unë e them këtë si një fëmijë i së tashmes, nuk do të kishte më jug dhe veri dhe Qiproja do të ishte plotësisht yni," u shpreh z. Erdoan.

/rtsh.al/