RTSH 24 Live

Politikë

Sulmi me tritol në banesën e gjyqtarit në Shkodër, Manja: Burracakë që kërkojnë të intimidojnë drejtësinë

28/04/2024

Sulmi me tritol në banesën e gjyqtarit në Shkodër, Manja: Burracakë që kërkojnë të intimidojnë drejtësinë

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e ka cilësuar sulmin me tritol në banesën e gjyqtarit ën Shkodër Tonin Sterkajt si një akt burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë.

Manja shkruan se ngjarja duhet të zbardhet sa më parë, ndërsa shton se ngjarje të tilla nuk do të mund të ndërhyjnë në vendimet e drejtësisë.

“Me Tonin Sterkajn më ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007 dhe miqësinë tonë të atyre kohëve të vështira e kemi pasurinë tonë më të madhe. Si mik dhe si koleg, sot, i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time! Si Ministër i Drejtësisë, kërkoj nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por që nuk do ia arrijnë dot, aq më tepër me Tonin Sterkajn, gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë! Sot jam në krah të Toninit dhe familjes së tij dhe jam i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast!”, shkruan Manja në facebook.

Në orën 03.13 të mëngjesit të 28 prillit në derën e oborrit në banesën e gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj shpërtheu një sasi tritoli, ku mendohet që të jetë vendosur për shkak të detyrës së tij. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale, ndërsa hetuesit po këqyrin kamerat e sigurisë për identifikimin e  autorit dhe kapjen e tij.

/rtsh.al/