RTSH 24 Live

Europë

Londra solidarizohet me Gazan 

27/04/2024

 Londra solidarizohet me Gazan 

Me pankarta në duar, “Stop gjenocidit në Gaza”, mijëra protestues pro-palestinezë mbushën rrugët e kryeqyetit britanik, Londrës, për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazas.

Marshimi, i organizuar nga Fushata e Solidaritetit të Palestinës, nisi nga sheshi para Parlamentit dhe u zgjerua më pas në rrugët para godinave të tjera shtetëore.  Demonstruesit bënë thirrje për ndalje të sulmeve nga Izraeli dhe shprehën kundërshtinë e tyre ndaj furnizimit me armë për Tel Avivin.  Protestues nga grupe të ndryshme hebreje antiizraelite ishin në mesin e pjesëmarrësve në tubim.

Përgjatë rrugës së marshimit, një grup protestuesish proizraelitë organizuan gjithashtu një demonstratë, ndërsa disa protestues hebrenj propalestinezë mbanin pankarta, ku shkruhej: “Jam haptazi hebre dhe kundër gjenocidit!”.

Sulmi ushtarak izraelit në enklavën e rrethuar bregdetare erdhi si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi më 7 tetor që vrau 1200 njerëz, sipas Izraelit. Rreth 253 persona të tjerë u morën peng, nga të cilët mbi 130 mbeten në Gaza, me dhjetëra prej tyre që mendohet se janë vrarë edhe nga sulmet e vetë Izraelit. por, kundërpërgjigja e Izraelit ndaj Hamasit ka vrarë më shumë se 34,300 njerëz, sipas ministrisë së shëndetësisë atje. Shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë dhe mijëra të tjerë janë të zhdukur dhe supozohet se janë varrosur nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara.  

Gazetar Artur Mata

/ rtsh.al /