RTSH 24 Live

Aktualitet

Operacioni i SPAK, Rama: Shembulli i fuqizimit të organeve ligjzbatuese për të goditur krimin

19/05/2022

Operacioni i SPAK, Rama: Shembulli i fuqizimit të organeve ligjzbatuese për të goditur krimin

“Operacioni më domethënës e me rrezen më të gjerë në luftën kundër krimit të organizuar”, kështu e ka konsideruar kryeministri Edi Rama operacionin e SPAK dhe Policisë së Shtetit, të shtrirë në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, ku u vunë në pranga 18 persona dhe u shpallën  në kërkim 14 të tjerë.

Në një intervistë për gazetaren e RTSH, Denada Shkodrani, pas vizitës së tij në Gjermani, Rama theksoi se qeveria mbështet institucionet e drejtësisë që t’i shkojnë deri në fund rrugës kundër krimit të organizuar që, sipas kryeministrit, ka rritur respektin për Shqipërinë në skenën ndërkombëtare dh epo jep frytet e dëshiruara për vendin.

Vendimtare për Shqipërinë janë operacionet si ky i sotmi i SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit që është në këndvështrimin tim dhe bazuar në gjithë diskutimet e bëra gjatë ditës së sotme në orët e lira me Tiranën, operacioni më domethënës e me rrezen më të gjerë në luftën kundër krimit të organizuar. Një operacion që meriton vërtetë fjalët më të mira të respektit e të inkurajimit për të gjithë ata që janë përshirë, që nga hetuesit e SPAK-ut e deri tek drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe një mbështetje e fortë për të vazhduar deri në fund në këtë rrugë, një rrugë që tanimë është e qartë që është hapur për të gjithë partnerët ndërkombëtar të Shqipërisë, një rrugë që ka rritur respektin për Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, një rrugë që po sjell hap pas hapi dhe frytet e dëshiruara në Shqipëri edhe pse sot shqiptarët janë edhe më kërkues se sa janë ndërkombëtarët sepse nuk kanë durim që të presin sepse kanë kaq vite që presin e presin e me shumë të drejtë kërkojnë më shumë”, tha Rama gjatë intervistës.

Rama regoi edhe me një postim në Twitter ku shkroi se ky operacion është shembull i fuqizimit të organeve ligjzbatuese për të goditur krimin.

"Operacioni i sotëm i SPAKUT dhe Policisë së Shtetit është shembulli më kuptimplotë i fuqizimit të organeve ligjzbatuese dhe vendosmërisë së madhe për ta goditur krimin e organizuar me të gjithë forcën e ligjit! Respekt për këtë shembull kaq domethënës. Mbështetje deri në fund", shkruan Rama

SPAK ka goditur 8 grupe kriminale, ku 3 ishin në Tiranë, 1 në Durrës dhe 4 në Elbasan. Në këtë operacion janë lëshuar 32 urdhër-arreste, nga të cilat 18 janë ekzekutuar, ndërsa priten të arrestuar të tjerë që lidhen kryesish me kokat e këtyre grupeve. Kreu i SPAK, Arben Kraja tha se të arrestuarit paguanin vrasës që të eliminonin kundërshtarët e tyre.

/rtsh.al/