RTSH 24 Live

Botë

OKB: Më shumë refugjatë klimatikë nëse nuk bëhen investime

12/11/2024

OKB: Më shumë refugjatë klimatikë nëse nuk bëhen investime

Agjencia e OKB-së për refugjatët paralajmëroi të martën për rritjen e numrit të refugjatëve nga rajonet që janë veçanërisht të prekura nga ndryshimet klimatike nëse nuk bëhen investime për të përmirësuar mjedisin.

Raporti i UNHCR-së u prezantua në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike ose COP29, në Baku.

“Ndërsa goditjet klimatike po ndodhin më shpesh, në më shumë vende njerëzit e zhvendosur po e gjejnë veten gjithnjë e më shumë të detyruar të lëvizin përsëri dhe përsëri në kërkim të një vendi të sigurt dhe të banueshëm”, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.

UNHCR tha se njerëzit ikin në shumë rajone për shkak të dhunës dhe konflikteve, por kjo nxitet edhe nga lufta për burime që po pakësohen për shkak të ndryshimeve klimatike.

Burimet e ujit të pijshëm po thahen, toka po bëhet djerrë, niveli i detit po rritet dhe njerëzit duhet të kërkojnë mjetet e jetesës diku tjetër.

Shumica e refugjatëve ikin në vendet fqinje që janë vetë të prekura keq nga ndryshimet klimatike.

Sipas UNHCR-së, 75% e 123 milionë njerëzve që kishin ikur nga shtëpitë e tyre deri në fund të vitit të kaluar dhe jetonin diku tjetër ishin në vende ku rreziku i fatkeqësive të lidhura me ndryshimet klimatike ishte veçanërisht i lartë.

Gjatë dekadës së kaluar, rreth 220 milionë njerëzve u është dashur të largohen nga fshatrat dhe qytetet e tyre të paktën përkohësisht për shkak të katastrofave të motit të lidhura me ndryshimet klimatike.

Sipas ATSH

/ rtsh.al /