RTSH 24 Live

Rajon

Ohër/ Bisedimet Kurti e Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së vijojnë prej 9 orësh

18/03/2023

Ohër/ Bisedimet Kurti e Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së vijojnë prej 9 orësh

Ora 20:00 Ohër/ Bisedimet Kurti e Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së vijojnë prej 9 orësh

Dhjetra gazetarë po ndjekin nga afër bisedimet që po mbahen në Ohër mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian të cilat kanë nisur nëntë orë më parë.

Fillimisht kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, patën takime të ndara dhe më pas trepalëshe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Diskutimet po vazhdojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e të cilit palët u dakorduan më 27 shkurt.

Edhe rtsh.24 ka dërguar një grup xhirimi, me gazetar Llazi Saro për të transmetuar live të gjitha zhillimet. 

Ora 18:30 Ohër/ Pas një pauze, rinisin bisedimet Kurti - Borell - Lajçak - Vuçiç 

Pas një pauze më shumë se një orë, ka nisur pjesa e dytë e takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

BE-ja më herët tha se Kurtit dhe Vuçiçit do t’iu prezantojnë një “plan të konsoliduar” të zbatimit të këtij propozimi, që synon t'i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Ora 17:15 Ohër/ Pas një pauze, vazhdojnë bisedimet Kurti - Borell - Lajçak - Vuçiç 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po vazhdojnë takimin në Ohër pas një pauze të shkurtër, njofton Kosovapress.

Më herët kishte informacione për përfundimin e takimit – pak minuta para orës 17:00 – por bëhej fjalë vetë për një pauzë të shkurtër.

Dy udhëheqësit po takohen me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së për të diskutuar zbatimin e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell paraprakisht zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Bashkë me Borrellin, në Ohër është edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se nuk e di sa do të zgjasë takimi, por shtoi se mund të zgjasë deri pasdite apo në mbrëmje.

Pritet që pas takimit Kurti-Vuçiç dhe palët të deklarohen për mediet që po ndjekin nga afër këtë takim.

/rtsh.al/