RTSH 24 Live

Botë

OBSH: Vaksinat shpëtuan 154 milionë jetë në 50 vitet e fundit

24/04/2024

OBSH: Vaksinat shpëtuan 154 milionë jetë në 50 vitet e fundit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se përpjekjet globale të imunizimit kanë shpëtuar të paktën 154 milionë jetë në 50 vjetët e fundit.

Sipas OBSH-së, shumica që kanë përfituar nga vaksinimi ishin foshnje, ndërsa shpjegon se kjo shifër është e barasvlershme me 6 jetë të shpëtuara çdo minutë të çdo viti në gjysmë shekull.

OBSH-ja bëri analiza krahasuese të ndikimit të 14 vaksinave të përdorura në kuadër të Programit të Zgjeruar mbi Imunizim (EPI), i cili shënon 50-vjetorin e krijimit muajin e ardhshëm.

Vaksinat janë në mesin e zbulimeve më të fuqishme në histori, duke i bërë të parandalueshme sëmundjet që dikur nuk parandaloheshin. Falë vaksinave, lija është çrrënjosur, poliomieliti është në prag të zhdukjes dhe sipas zhvillimit më të fundit të vaksinave kundër sëmundjeve sikurse malaria dhe kaceri i qafës së mitrës, ne po shtyjmë kufijtë e këtyre sëmundjeve”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me vijimin e kërkimeve mund të shpëtohen miliona jetë në 50 vitet e ardhshme.

“Me vazhdimin e kërkimeve, investimeve dhe bashkëpunimit, ne mund të shpëtojmë miliona jetë sot dhe në 50 vjetët e ardhshme”.

Studimi tha se foshnjat përbënin 101 milionë jetë të shpëtuara përmes imunizimit gjatë pesë dekadave.

“Imunizimi ishte kontributi më i madh nga çdo ndërhyrje shëndetësore për të siguruar foshnjat që jo vetëm të festojnë ditëlindjen e parë, por të vazhdojnë të kenë një jetë të shëndetshme deri në moshën madhore”, tha OBSH.

Gjatë 50 vjetëve, vaksinat kundër 14 sëmundjeve, sipas studimit të OBSH-së kontribuuan drejtpërdrejt në uljen e vdekjeve të foshnjave për 40 për qind. Në Afrikë, ulja e vdekshmërisë ishte në mbi 50 për qind. Studimi gjeti se vaksinat shpëtojnë jetën e fëmijëve dhe ata persona që vaksinohen mund të jetojnë mesatarisht 66 vjet me shëndet të plotë.

/rtsh.al/