RTSH 24 Live

Botë

Hamasi akuzon Netanyahun: Po përpiqet të prishë marrëveshjen e armëpushimit

04/05/2024

Hamasi akuzon Netanyahun: Po përpiqet të prishë marrëveshjen e armëpushimit

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se këmbëngulja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për të sulmuar Rafahun është një përpjekje për të penguar çdo mundësi që të arrihet një marrëveshje armëpushimi në Gaza në negociatat që janë duke u ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara.

"Netanyahu ka penguar të gjitha raundet e mëparshme të dialogut dhe është e qartë se edhe tani po bën të njëjtën gjë” tha Hosam Badran për agjencinë e lajmeve franceze AFP. Vendet ndërmjetësuese janë duke pritur përgjigjen e Hamasit mbi propozimin e Izraelit për të ndaluar luftimet për 40 ditë dhe për të shkëmbyer pengjet me të burgosurit palestinezë.

Këtë propozim, shefi politik i grupit militant Ismail Hanijeh e ka cilësuar si pozitive. Por pengesë kryesore sipas Hamasit është fakti se ndërsa ky i fundit kërkon armëpushim të qëndrueshëm, Netanjahu këmbëngul se do të dërgojë trupa tokësore në Rafah, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga agjencitë e OKB-së dhe Uashingtoni për sigurinë e 1.2 milionë civilëve që janë zhvendosur brenda qytetit jugor të Gazës.

Ndërkohë Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se agjencia ishte thellësisht e shqetësuar nga planet e Izraelit pasi një operacion ushtarak në Rafah mund të çojë në një gjakderdhje dhe të dobësojë më tej sistem shëndetësor të asaj enklave tashmë të dëmtuar.

Gazetare: V. Zhari

/RTSH/