Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, gjatë një takimi të mbajtur me diasporën shqiptare në Romë, i ka bërë thirrje bashkatdhetarëve të regjistrohen dhe të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Noka ka theksuar se shumë shqiptarë janë detyruar të lënë atdheun për shkak të politikave të qeverisë aktuale, duke e akuzuar Edi Ramën për kthimin e Shqipërisë në një "narkoshtet". Noka ka theksuar se diaspora ka luajtur një rol kyç në mbështetje të familjeve shqiptare dhe se është koha për të sjellë një ndryshim.
“Populli është larguar dhe se shumë bashkëkombës tanë janë detyruar ta lënë atdheun tonë, që ditën që erdhi rilindja në pushtet. Zhvillimit ju pre rruga nga PPP-të e famshme, nga investitorët strategjikë, nga krimi dhe korrupsioni qeveritar. Shqipërinë Edi Rama e ktheu në narkoshtet. Kjo bëri që ju të merrni rrugët e Europës dhe botës dhe hallet e problemet e familjeve tuaja, atje nuk i ka trajtuar kurrë shteti, por Shqipëria është ushqyer nga ju, diaspora jonë.
Ju jeni gjendur pensionistëve, familjarëve tuaj, ju i keni mbajtur detyrë që duhej ta bënte shteti. Por kur shteti zëvendësohet nga narkoshteti ky bëhet një realitet i dhimbshëm. Shumë prej jush këtu kanë ardhur të rinj, sot janë gjyshër, kanë nipër dhe mbesa, prandaj të gjithë sa jemi këtu dhe kudo në diasporë, të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që Edi Rama Shqipërinë mos ta kthejë në tokë të djegur dhe vendi të ngelet dhe i huaj për ne”, tha Noka.
Ai ka apeluar që shqiptarët në diasporë të bëhen pjesë e ndryshimit të shumëpritur, duke kontribuar me votën e tyre. "Vota juaj është një rreze shprese për Shqipërinë," tha Noka, duke shtuar se kjo votë mund të sjellë një demokraci evropiane dhe të ndalë dëbimin e shqiptarëve nga vendi.
“Ne duhet t’i prijmë atij ndryshimi të shumëpritur që çdo shqiptar e pret dhe ndryshimi do të vijë nga vota e diasporës. Që ky ndryshim do të trokasë në 11 maj në Shqipëri, duhet që mërgata shqiptare të regjistrohet dhe votojë masivisht në këto zgjedhje. Është vota juaj, vota e diasporës që pritet si një rreze shprese nga të gjithë shqiptarët.
Me votën tuaj ne do ta mundim regjimin, do ta zëvendësojmë regjimin me një demokraci evropiane. Vota juaj do të ndalojë dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria, do ta ndalë dëbimin e të rinjve. Ne së bashku do ta çlirojmë Shqipërinë nga llumi politik që zhgërryhet në luks do ta çlirojmë Shqipërinë nga një regjim narkomanësh që ushqehet në kurriz të popullit më të varfër të Europës”, tha ai.
/rtsh.al/