RTSH 24 Live

Politikë

Arrestimi i Veliajt, Këlliçi: Protestat e PD-së para bashkisë denoncuan korrupsionet e tij

11 orë para

Arrestimi i Veliajt, Këlliçi: Protestat e PD-së para bashkisë denoncuan korrupsionet e tij

Partia Demokratike ka reaguar pas lajmit të arrestimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili po hetohet nga SPAK për disa akuza. Në një deklaratë për mediat, anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, tha se qytetarët shqiptarë kanë protestuar për muaj me radhë para Bashkisë Tiranë për të denoncuar korrupsionin e Erion Veliajt gjatë drejtimit të bashkisë më të madhe në vend.

Këlliçi theksoi se arrestimi i Veliajt është vetëm hapi i parë drejt çmontimit të asaj që ai e konsideron një "infrastrukturë të George dhe Alex Soros" në Shqipëri.

“Gjej rastin të falënderoj ata qindra protestues dhe qytetarë të Tiranës, që për 44 javë me radhë protestuan para selisë së 5D dhe inceneratorit Tiranë, që formalisht quhet Bashkia Tiranë. Garantojmë qytetarët shqiptarë se arrestimi i Erion Veliajt, është hapi i parë në çmontimin e plotë të infrastrukturës së George dhe Alex Soros në Shqipëri. Pas mbyllje së USAID, po shkon drejt mbylljes edhe Bashkia e Tiranës, dhe pas saj më 11 maj, edhe qeveria më e korruptuar në Europë, qeveria e Edi Ramës. Ashtu siç premtoi pak orë më pare Chris LaCivita, ndikimi i Soros dhe kukullave të tij në vendin tone, do të shuhet përgjithmonë”, tha ai.

Gjithashtu Këlliçi hodhi aludime se “Rama u detyrua të lejonte arrestimin e Veliajt, pasi Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës së Presidentit Donald Trump, do të drejtojë fushatën e PD-së”. Sipas Këlliçit ardhja e tij, tregon një bashkëpunim të fuqishëm mes PD-së dhe SHBA-ve.  

“Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës së Presidentit Donald Trump, dhe Shefi i Komitetit Kombëtar Republikan, nga dita e sotme do të drejtojë zyrtarisht fushatën e Partisë Demokratike dhe Kryetarit të saj Prof. Dr. Sali Berisha drejt fitores së zgjedhjeve të 11 majit. Zoti LaCivita paralajmëroi në konferencën për shtyp, se kukullat e George Soros nuk mund të jenë më partnerë të SHBA-ve dhe ato do të çmontohen një nga një. Atë që deri dje konsiderohej e pamundur, ne do ta bëjmë të mundur!

Tronditja që shkaktoi ardhja e krahut të djathtë të Presidentit Trump, Chris LaCivita, çoi në urdhrin e menjëhershëm dhe të pashmangshëm të Edi Ramës për arrestimin e Erion Veliajt. Edi Rama zgjodhi të arrestojë Veliajn pikërisht ditën e sotme, vetëm me qëllimin e sfumimit të lajmit të shumëpritur se Partia Demokratike dhe SHBA ecin përkrah njëra tjetrës, më fuqishëm dhe më të sigurta se kurrë”, tha Këlliçi.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua këtë të hënë (10 shkurt), pas hetimeve që SPAK ka nisur ndaj tij për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe aktiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie.

/rtsh.al/