Duke nisur nga dita e sotme (26 tetor) e deri ditën e dielë (29 tetor) ngjarja plot adrenalinë “Automotive Fair Albania” do të pushtojë kryeqytetin.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se eventi më i madh i pasionit automotiv, do të mbledhë të gjithë të apasionuarit, prodhues e koleksionistë të industrisë se automobilizmit.
“Mirëmëngjes dhe me ngjarjen plot adrenalinë, Automotive Fair Albania, që do të pushtojë kryeqytetin për 4 ditë në datat 26-29 Tetor, në Pallatin e Kongreseve, sheshin “Nënë Tereza” e sheshin “Italia” me evente motorsportive, autoshow, duke mbledhur të gjithë të apasionuarit pas botës automotive e jo vetëm, ju uroj ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Edicioni i parë i Automotive Fair Albania u mbajt përgjatë datave 17-19 Qershor 2022.
Panairi shërbeu si një vitrinë rajonale për sipërmarrjet më novatore në trojet shqipfolëse, dhe si një urë ndërlidhëse midis të gjithë operatorëve dhe aktorëve të industrisë së automobilizimit, duke ofruar mundësi të reja investimi në industrinë e automobilizmit, promovimi dhe njohje.
Qëllimi i këtij eventi ishte stimulimi i investimeve të huaja në industrinë e automobilizmit. Rrjeti i operatorëve vendas e rajonalë, prezantuan produkte dhe shërbime që ata ofrojnë, ndërsa prezenca e ekspertëve ndërkombëtarë shërbeu si një mundësi unike për shkëmbim përvojash, shikueshmëri, bashkëpunime të reja, si dhe një eksperiencë ndërkombëtarizimi që erdhi në momentin e duhur.
/rtsh.al/