RTSH 24 Live

Art

Ngjitet në skenën e Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës drama “Gjaku i Martirëve të Kombit”

19/05/2023

Ngjitet në skenën e Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës drama “Gjaku i Martirëve të Kombit”

Kjo shfaqje organizohet nga Kongresi Rinor Kombëtar si pjesë e Programit “Rinia zhvillon Kulturë”, në kuadër të “Tirana European Youth Capital 2022”, të financuar nga Bashkia Tiranë dhe pritet të mbledhë shumë njerëz, kryesisht të rinj e të reja.

Tematika e dramës është bazuar në ngjarje reale, në kohën e persekutimeve të klerikëve dhe besimtarëve.

Drama ndërgjegjëson të rinjtë e të rejat mbi të vërtetat historike të një kohe të dhimbshme dhe të errët të popullit shqiptar, si një mësim për të ecur vetëm përpara për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Gjithashtu kjo shfaqje përkujton dhe nderon martirët e kombit, sidomos martirët e klerit katolik, të cilët janë torturuar, burgosur e vrarë padrejtësisht gjatë periudhës së  diktaturës.

Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” është përshtatur nga Bajram Torba dhe është bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Zana Tako. Kjo është drama, që përcjell mision, falje dhe dashuri, por ndërkohë ngelet një dramë edukuese për njerëzit.

Në dramën “Gjaku i Martirëve të Kombit” janë në role aktorë të njohur të teatrit shqiptar, por dhe të rinj. Në vepër interpretojnë Bujar Asqeriu, Margent Caushi, Erjon Hinaj, Gëzim Rudi, Marjana Kondi, Alba Shtëmbari, Lindar Kaja, Delvis Bejleri, Alban Masaku, Bajram Torba. Aktori Bujar Asqeriu është një nga emrat e njohur të skenës teatrore dhe kinematografisë në vendin tonë.

/rtsh.al/