RTSH 24 Live

Ekonomi

Nga 7 milionë euro kredi të këqija u zhvatën 1 miliard euro pasuri, 103 mijë qytetarë viktima

23/05/2024

Nga 7 milionë euro kredi të këqija u zhvatën 1 miliard euro pasuri, 103 mijë qytetarë viktima

Plot 103 mijë shqiptarë po përballen sot me një skemë të re të fshehtë mashtruese dhe piramidale nga disa subjekte financiare dhe përmbaruese të palicensuara, të cilat akuzohen tashmë nga drejtësia për mashtrim me mikrokreditë.

Në mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet, Prokuroria ka zbardhur skemën piramidale me të cilën subjektet e palicensuara e kanë zbatuar në mënyrë të hapur për vite me radhë, duke futur në vorbull, "pa u hyrë gjemb në këmbë", rreth 100 mijë qytetarë, nga të cilët 20 mijë enden në dyert e drejtësisë në mëshirë të fatit.

Sipas Prokurorisë këto shoqëri morën nga një bankë e nivelit të dytë 3.999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro. Duke e përdorur atë nëpërmjet një skemë shtrënguese të kredimarrjes arritën të bllokojnë rreth 510 milionë euro pasuri të qytetarëve. 

Ajo që bie në sy është se kredia konsumatore është dhënë nga institucionet financiare jobankare në favor të individëve aplikantë e hallexhinj, pa ndonjë këshillim ndaj tyre, madje edhe pa përfshirjen e familjarëve në moshë madhore për të marrë përgjegjësi juridike për kthimin e huasë.

Huadhënësi ka marrë përsipër rrezikun në dhënien e huasë, por pyetjet qëndrojnë se si mund të kërkohet ekzekutimi i kolateralit përmes përmbaruesve privatë, pasurisë së patundshme të gjithë familjes për një detyrim financiar të një pjesëtari të saj, për të cilin në mjaft raste pjesëtarët e tjerë as që kanë dijeni?

Fenomeni i 6 viteve që lulëzon dhe kjo lloj kredie, nga shitjet dhe rishitjet, kanë çuar në situatën tejet kontradiktore ku shumat e interesave plus kostot e tërthorta kanë tejkaluar vlerën e principalit.  

“Nga aktet e sekuestruara rezulton se këto shoqëri morën nga (një bankë e nivelit të dytë) 3.999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, ku bëhet e qartë se në këtë operacion mashtrimi kanë qenë të përfshira edhe banka të caktuara të nivelit të dytë, hipoteka dhe institucione qeveritare që paguhen për të kontrolluar zyrat e përmbarimit për zbatimin e ligjit, si dhe ato financiare që merren me kontrollin e shoqërive që japin mikro- kredi, të cilat “kanë mbyllur sytë”.  

Nga ana tjetër, ndonëse kallëzimi ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, si dhe përmbaruesve të tyre është bërë 4 vite më parë nga Ministria e Drejtësisë, vonesa në hetimin e kësaj skeme nga ana e prokurorisë, duket se kanë zhytur më keq të dëmtuarit në ‘gropën e kësaj skeme piramidale’.

PD, nga ana e saj, nëpërmjet sekretarit për Programin, Arbi Agalliu ofroi shifra më konkrete për këtë megaskemë.

Sipas tij, skemat kanë dëmtar 103 mijë qytetarë dhe rreth 19. 376 prej tyre vazhdojnë të jenë në proces mashtrimi nga institucionet financiare që janë frymëzuar, ngritur dhe toleruar nga qeveria.

“510 milionë euro janë paguar nga qytetarët më të pamundur të shoqërisë shqiptarë, të cilët nën presion nga funksionarët publik janë detyruar të paguajnë detyrime që nuk i kanë marrë kurrë. 570 milionë euro asete janë bllokuar ose kaluar për llogari të këtyre mashtruesve financiar si pasojë e lejimit të procedurave të paligjshme nga ana e hipotekave, apo si pasojë e mos ushtrimit të kontrollit të organeve kompetente mbi përmbaruesit që kanë shkelur ligjin për të ndihmuar këto piramida moderne të ideuara dhe mbështetura nga Edi Rama dhe mëkëmbësit e tij”, deklaroi Agalliu.

Gjokutaj për RTSH 24: Gjykatat vendime të dëm të qytetarëve

Eksperti financiar, Eduart Gjokutaj, në studion e RTSH 24, dukje analizuar çështjet e mikrokredive dhe situatën e krijuar, deklaroi se ka pasur edhe gjyqtarë që kanë dhënë vendime të padrejta ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër, sipas tij, që në momentin që bankat e nivelit të dytë kanë hequr kreditë e këqija, ato duhej të kontrolloheshin nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet financiare ligjzbatuese.

“Mikrokreditë janë keqkuptuar. Problemi është edhe i organeve që i monitorojnë këto institucione financiare. Duhet zgjidhur problemi i personave që janë peng, si dhe një reformë e plotë sa u përket instrumentave ligjorë. Ato janë licensuar nga Banka e Shqipërisë. Janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. BSH i licenson dhe i mbikëqyr. Në këtë situatë duhej të aktivizoheshin edhe institucione të tjera. Por, BSH është autoriteti i drejtëpërdejtë përgjegjës për ti kontrolluar. Duhej të kishin një koordinim mes të gjitha institucioneve për t’i mbajtur në monitorim”, tha Gjokutaj.

Sipas tij, këto skema, me kalimin e kohës, kanë ikur nga qëllimi për të cilën janë krijuar, madje në shumë vende të Evropës kanë pushuar së qeni.

“Në skenarin shqiptar ka probleme, por nuk duhen paragjykuar të gjitha se ka jo pak që veprojnë sipas ligjeve. Bankat e nivelit të dytë që kanë shitur borxhet duhet të dalin me një qëndrim. Hap i parë duhet stopimi dhe më pas lista e zyrave përmbarimore për të parë se kush ka kapërcyer ligjin. Duhej të ishte vepruar me kohë për parandaluar këtë fenomen. Kanë shfrytëzuar edhe padijen financiare të qytetarëve, duke bërë abuzime të pastra”, tha Gjokutaj.

Sipas tij, çfarë ka ndodhur është një njollë në tregun financiar, pasi duke mos u zbatuar ligji, kalohet masa dhe abuzimi bëhet problematik.

“Fenomeni të kujton piramidat, ndaj duhej frenuar në kohë, me qëllim që të mos krijohej kjo situatë me të cilën përballemi sot. Nuk dihet se si do të zbuten dëmet për qytetarët e prekur, sepse secili mbrohet sipas kontratave. Këto institucione të mikro- kredieve nuk kanë ecur kuturu. Ata i kanë studiuar klientët, kanë pasur dosjet dhe kanë kuptuar se kush nuk paguan në kohë dhe i kanë bërë pre të skemës. Përmbarimi nuk u ka shpjeguar të drejtat që kanë qytetarët dhe kjo ka çuar në abuzime. Normat e interest nuk janë kontrolluar dhe kjo është përgjegjësi e madhe edhe BSH, si dhe institucioneve që nuk kanë ndërhyrë në kohë”, tha Gjokutaj.

Akuzat e prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masat e sigurimit “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi” për nëntë shtetas, nën akuzë për veprën penale "Skema mashtruese dhe piramidale" si pjesë e kallëzimit penal i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Skema e blerjes së kredive të këqija

Nga aktet e sekuestruara rezulton se shoqëritë e sipër përmendura morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro. Ato përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

“Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera. Kjo skemë është përdoruar tek kredi marrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

 Zhvatja nëpërmjet kamatvonesave

Këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.

“Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.”, njofton prokuroria.

Akuza duket se ka arritur të vërtetojë nga aktet e administruara dhe të provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit Arben Meskuti, Alban Kote, dhe Alketa Tanushi, kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa Kejda Seferi, në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’, kurse Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes. Po kështu edhe Elda Ibro, administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’.

Masat e sigurisë

Nisur nga provat e mbledhura, Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, vendosi:

  1. “Arrest në burg” për Aldo Daka - administrator i shoqërive përmbarimore Star-FS
  2. “Arrest në burg” për Albert Gega - administrator i shoqërive përmbarimore Star-FS
  3. “Arrest në burg” për Edmond Mato - administrator i shoqërive përmbarimore Star-FS
  4. “Arrest në shtëpi” për Kejda Seferi - përmbaruese gjyqësore
  5. "Arrest në shtëpi" për Elda Ibro - administratore e Micro Credit Albania 
  6. "Arrest në shtëpi’ për Jorsida Dervishi - përmbaruese gjyqësore
  7. “Arrest në burg” për Arben Meskuti - përmbarues gjyqësor
  8. “Arrest me burg” për Alban Kote - përmbarues gjyqësore
  9. “Arrest në shtëpi” për Alketa Tanushi - përmbaruese gjyqësore

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar masat e sigurisë arrest në burg për Aldo Dakën, Albert Gegën, Edmond Maton, Arben Meskutin. Në arrest shtëpie u lanë Kejda Seferi, Elda Ibro, Alketa Tanushi dhe Jodisa Dervishi. Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasit Alban Kote 43 vjeç, banues në Tiranë.  

/rtsh.al/ a.meta/