RTSH 24 Live

Aktualitet

Nga 11 janari aktivizohet platforma elektronike, Balla fton diasporën të votojë

05/01/2025

Nga 11 janari aktivizohet platforma elektronike, Balla fton diasporën të votojë

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste për Diasporën, e ftoi sot diasporën shqiptare të regjistrohet për zgjedhjet e 11 majit.

Procesi i regjistrimit për shtetasit shqiptarë me të drejtë vote nis nga 11 janari - ligjërisht 4 muaj para ditës së zgjedhjeve - dhe realizohet përmes platformës së ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Aplikacioni gjendet në dyqanet virtuale për celularë Apple, Android ose nëpërmjet faqes së KQZ-së.

Në momentin kur të vjen konfirmimi nga KQZ-ja për procesin e votimit, do të duhet të vendosësh edhe një adresë. Për të konfirmuar këtë adresë, mjafton çdo lloj dokumenti që mund të keni, qoftë një kontratë qiraje për shtëpi, qoftë një kontratë furnizimi me ujë të pijshëm, qoftë një kontratë furnizimi me internet apo energji elektrike ose çdo lloj dokumenti tjetër, qoftë lejeqëndrim (permesso di soggiorno) apo një kontratë me bankën. Për fëmijët mund të përdoret një vërtetim nga shkolla,” tha z. Balla.

Balla apeloi që votuesit të mos e neglizhojnë plotësimin e fletës së votimit sapo ta marrin dhe ta dërgojnë në kohë për në Shqipëri.

Pra, të gjitha këto dokumente, mjafton një prej tyre, fotografohet, vendoset aty dhe konfirmohet ajo adresë. Në atë adresë, përmes postës, do të vijë edhe fleta e votimit. Kjo fletë duhet të mos lihet siç e kemi zakon ne shqiptarët – që na vjen dhe e lëmë aty te frigoriferi dhe harrojmë – por atë ditë që do të vijë, secili ta plotësojë dhe ta nisë për në Shqipëri,” deklaroi z. Balla.

Platforma Elektronike e Regjistrimit (PER), që u prezantua fundvitin e kaluarm ofrohet pa pagesë. 

Si dokumentacion për regjistrimin në platformën për diasporën, KQZ kërkon:

  • Kartë ID ose Pasaportë;
  • Dokumentacioni i nevojshëm i deklarimit të adresës duhet të përmbajë emrin e zgjdhësit të njëjtë me emrin në dokumentin e ID për regjistrim në PER (mjafton vetëm një prej tyre):
  • dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar nështetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;
  • dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj, i lëshuar nga autoritetet përkatëse;
  • kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;
  • dokument/e bankare (kontratë kredie, vërtetimbankar etj), që përmban adresën e banimit;
  • kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;
  • kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektrike) në banesë;
  • kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;
  • kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë;
  • leje drejtimi automjeti (patentë), në rastet kur shënohet adresa e banimit;
  • dokument të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, qendër emigracioni, apo tjetër të ngjashëm;
  • çdo dokument tjetër, i lëshuar në shtetin e huaj, që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e vetëdeklaruar jashtë vendit.

Për regjistrimin ju nevojitet një pajisje elektronike (telefon inteligjent, laptop, PC i pajisur me kamera ballore) për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimi (fotografimi) i dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës.

/rtsh.al/