RTSH 24 Live

Rajon

Negociatat me Kosovën, Vuçiç plan me 10 pika: Serbia do paqe, jo provokime! Kërkojmë Asociacionin e komunave serbe

02/02/2023

Negociatat me Kosovën, Vuçiç plan me 10 pika: Serbia do paqe, jo provokime! Kërkojmë Asociacionin e komunave serbe

Seanca maratonë që po zhvillohet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në parlamentin serb ka sjellë tensione e debate të forta, por edhe prezantimin nga ana e presidentit të një plani me 10 pika. Edhe pse presidenti Aleksandër Vuçiç tha se nuk mund të zbulojë dot gjithçka nga plani franko-gjerman, ai ka bërë të qarta disa pika ku në fosku është normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinwn dhe përmirësimi i jetës së serbëve në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij Vuçiç tha se Prishtina nuk dëshiron të formojë Asociacionin e Komunave Serbe, por të provokojë konflikte mes Serbisë dhe NATO-s. Nuk mund të them gjithçka nga plani, tha Vuçiç, por  do të them se çfarë është më e keqja për Serbinë.

Vuçiç tha se është pika 4, paragrafi 2 i propozimit evropian, ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”.

“Në këtë drejtim ndoshta e vetmja e mirë është se thuhet duke u nisur nga faktet historike, pa vënë në pikëpyetje pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështje themelore, përfshirë këtu edhe çështjen e statusit”, tha Vuçiç.

10 Pikat e prezantuara nga Vuçiç:

Pika 1: Politika jonë do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit. Me çdo mjet dhe me çdo kusht do të përmbahemi dhe s’do t’i përgjigjemi provokimeve nëse nuk kërcënohet jeta dhe prona e njerëzve, sepse paqja dhe stabiliteti nuk janë sllogane, është diçka që sjell jetë në Serbi, e cila na lejon të ruajmë mbijetesën biologjike të popullit tonë.

Pika 2: Këmbëngulja në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, e cila duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë dhe organizimin e tyre në Kosovë dhe Metohi, me mbështetjen e Serbisë, të cilën askush nuk duhet ta pengojë.

Pika 3: Siguri për serbët në Kosovë dhe Metohi, që askush të mos shqetësohet kur fëmija dërgohet në shkollë, sepse ka emër dhe mbiemër serb.

Pika 4: Jetë më e mirë për popullin tonë në Kosovë dhe Metohi.

Pika 5: Të diskutohet dhe negociohet për të gjitha temat që kanë të bëjnë me të gjitha çështjet kyçe lidhur me bashkëpunimin e serbëve dhe shqiptarëve se në çfarë mënyre përfaqësohen ata në ndonjë organ.

Pika 6: Ruajtja e interesave tona jetike shtetërore dhe kombëtare, ruajtja e vendimmarrjes sonë të pavarur, që askush të mos na ndërhyjë, të mos shkojmë në Uashington, Moskë apo Bruksel për të marrë mendim, që vendimet merren vetëm në Serbi, duke respektuar  Kushtetutën e Serbisë.

Pika 7: Interesi ynë jetik është të qëndrojmë në rrugën evropiane sepse rruga evropiane nënkupton investime dhe standarde, paga dhe pensione.

Pika 8: Rritja e Serbisë, energjia, ushqimi dhe ushtria, ku ushqimi është shumë i rëndësishëm, ushtria duhet të jetë dy-tre herë më e fortë se sot, sepse e ka ruajtur popullin tonë në Kosovë e Metohi. Ne kemi nevojë për zhvillimin e shëndetësisë, në të cilën duhet të investojmë më shumë.

Pika 9: Vazhdimi i bisedimeve, nuk i ndalim bisedimet, sepse do të ishim plotësisht të izoluar, askush nuk do të fliste me ne dhe nuk mund të funksionojmë vetë në botën moderne.

Pika 10: Pavarësisht të gjitha krizave, pagat do të rriten, do të arrijmë në disa vende të BE-së dhe kjo do t’i kthejë njerëzit në Serbi.

/rtsh.al/