RTSH 24 Live

Ekonomi

Ndryshimet në buxhet, Malaj: Skemë e re për pensionet. Pozitë- opozitë përplasen për Aktin Normativ

09/09/2024

Ndryshimet në buxhet, Malaj: Skemë e re për pensionet. Pozitë- opozitë përplasen për Aktin Normativ

Pozita dhe opozita kanë debatuar të hënën në Komisionin Parlamentar të ligjeve, lidhur me ndryshimet e pritshme në buxhetin e shtetit për vitin 2024.

Debatet u zhvilluan gjatë kohës kur ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi ndryshimet në buxhetin e shtetit, miratuar përmes një akti normativ nga qeveria.

Ministri Malaj, në fjalën e tij, bëri të ditur se rishikimi i buxhetit parashikon një rritje me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, nga të cilat të ardhurat nga tatimet e doganat rriten me 9.4 miliardë lekë, nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të cilat rriten me 1.7 miliardë lekë, si dhe të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore do të rriten me 8 miliardë lekë.

Përmes Aktit Normativ propozohet edhe rritja e shpenzimeve buxhetore me rreth 27.3 miliardë lekë.

Sipas ministrit Malaj, kjo paraqitje pozitive krijon besimin për vazhdimësi pozitive në të ardhurat e buxhetit në 5-mujorin e mbetur të vitit, duke krijuar mundësi për më tepër mbështetje sociale dhe investime.

Gjatë debatit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku po diskutohet Akti Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, Malaj tha se në vitin 2021 borxhi publik ishte në nivelin 74.5 % dhe në fund të 2023-shit, ai ra në 58.9 %.

Por sipas opozitës ndryshimet në buxhet nuk kanë të bëjnë me shtresat në nevojë.  

Sipas kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi lekët nuk shkojnë për nevojat e qytetarëve dhe se Akti Normativ thellon edhe më tej varfërinë, “sepse nuk ka asnjë mbështetje për shtresat në nevojë”.

"Ju sapo keni marrë detyrën keni shtuar 260 milion euro për vetëm 3 projekte rrugësh, pa asnjë studim fizibiliteti apo ndryshim projekti. Për çfarë janë rritur kostot? E bëj këtë pyetje pasi me vjen ndërmend tuneli i Llogarasë, ku nga 140 milion euro, arriti në 190 milionë euro. Nga 205 milionë euro në 299 milionë euro, projekti tjetër nga 40 milionë në 89 milionë euro. 2.2 herë më i lartë. Unë nuk bie dakord me atë që thotë ministri, se unë firmos gjithçka që më sjell Belinda Balluku. Ajo ka dhënë prova që milionat e eurove i ka karamele.", tha Bardhi

Bardhi gjatë fjalës së tij, nisur nga kundërshtimet që ka pakica parlamentare, deklaroi se opozita do të votojë kundër ndryshimeve në buxhet.  

Çfarë parashikojnë ndryshimet në buxhet?

Propozimet sa i takon zërave të shpenzimeve buxhetore, ndër të tjera, konsistojnë në financimin shtesë, në masën 5 miliardë lekë, për projektet e reja të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, të cilat konsistojnë në projekte të reja në programe zhvillimi, të infrastrukturës vendore e rajonale dhe programit 100 fshatrat.

Po ashtu, financimin shtesë, në masën 4.75 miliardë lekë, për projektet e reja të transportit rrugor për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, për financimin e projektit të rrugës Elbasan- Lekaj, Fier- Kthesa, Patos- Frataj dhe Bërdicë- Unaza Lindore.

Njëkohësisht, parashikohet financimin shtesë, në masën 2 miliardë lekë, për projektet e reja në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime për vitin 2024.

Akti Normativ mbështet financimin shtesë, në masën 250 milionë lekë për vitin 2024, për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim avancimin në vitin 2024 të procedurave të prokurimit për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 dhe garantimin e implementimit në kohë të sistemit, si dhe financimin shtesë, në masën 400 milionë lekë, për projektet e reja dhe në vazhdim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, të cilat konsistojnë në projekte në sektorin e ujitjes dhe kullimit.

Përmes këtij akti sigurohet financimi shtesë, në masën 250 milionë lekë, për projekte të reja në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, për financimin e projekteve, në vlerën 50 milionë, në programin “Shërbimi i kujdesit parësor” dhe 200 milionë lekë në programin “Shërbimi i kujdesit dytësor”.

Do të kryhet financimi shtesë, në masën 100 milionë lekë, për projektet e reja në Ministrinë e Brendshme, në zbatim të marrëveshjes Shqipëri-Itali për protokollin për emigracionin, si dhe shtesën e fondeve, në masën 1.3 miliardë lekë dhe 500 efektivë të rinj për Ministrinë e Brendshme, me qëllim përballimin e nevojave për kompensimin ushqimor, krahas orëve jashtë orarit, në kuadër të sezonit intensiv turistik.

Rishikim skemës së pensioneve?

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë fjalës së tij në komision preku edhe sfidat me të cilat po përballet jo vetëm Shqipëria por të gjitha ekonomitë, siç është ajo demografike, e cila shtron nevojën e rishikimit të skemës së pensioneve për të siguruar një skemë më të qëndrueshme e pensione më të larta.

Malaj u shpreh se po shikohen disa skema në bashkëpunim edhe me ekspertë ndërkombëtarë.

“Skema e pensioneve, e bërë në 2015 nuk ka dështuar. Por ka nevojë të rishikohet, sepse në kohën që është bërë skema e pensioneve, vendi nuk kishte këto sfida që ka aktualisht, ku një nga më kryesoret është çështja e demografisë“, u shpreh ai.

Sipas tij, është e nevojshme që skema e pensioneve të rishikohet.

“Kemi një skemë që nuk është e qëndrueshme, pasi hendeku është i tillë që do të duhet të subvencionohet nga buxheti i shtetit. Do të duhet të gjejmë një skemë që jo vetëm garanton qëndrueshmërinë e vet, por edhe që siguron më shumë të ardhura për pensionet”, deklaroi Malaj.

Ai informoi se në bashkëpunim me MEKI-n dhe ekspertë ndërkombëtarë po punohet për të vlerësuar se cilat janë skemat që janë të qëndrueshme edhe në kohë, duke merrë parasysh sfidat me të cilat përballet sot ekonomia, jo vetëm shqiptare, por edhe ekonomia globale. 

Forcimi i lekut

Ministri i Financave gjithashtu informoi se efekti i kursit të këmbimit ka ndikuar me 5.4% në uljen e borxhit publik, por ka dhënë efekte negative sa i përket të ardhurave në dogana.

Ministri foli edhe për investimet e huaja në vend duke deklaruar se ato shënuan një rritje me mbi 15 % në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.

“Investimet e huaja dominohen nga Turqia me rreth 19.5 %, ndjekur nga Italia dhe Austria. Këto investime lidhen kryesisht me energjinë e rinovueshme dhe sektorin e turizmit”, deklaroi Malaj.

/rtsh.al/