RTSH 24 Live

Aktualitet

Ndihmëssekretarja e OKB dhe zyrtaret e larta të UNDP për vizitë treditore në Shqipëri

09/09/2024

Ndihmëssekretarja e OKB dhe zyrtaret e larta të UNDP për vizitë treditore në Shqipëri

Ivana Zhivkoviq (o. Živković), Ndihmëssekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Ndihmësadministratorja dhe Drejtoresha Rajonale e UNDP-së për Evropën dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, do të bëjë një vizitë zyrtare në Shqipëri nga data 9 deri më 12 Shtator 2024. Gjatë vizitës së saj, znj. Zhivkoviq do të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë, ministra të kabinetit, partnerë ndërkombëtarë për zhvillim dhe partnerë lokalë të UNDP-së.

Një nga momentet kryesore të vizitës së znj. Zhivkoviq do të jetë inaugurimi i shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” në Lezhë, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit dhe Ambasadorin e BE-së në Shqipëri. Shkolla, nga e cila përfitojnë 631 nxënës dhe 38 mësues, është një nga 63 institucionet arsimore të rindërtuara ose të riparuara në kuadër të Programit “EU4Schools”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNDP në Shqipëri. Programi “EU4Schools”, i udhëhequr nga parimet #NdërtojmëMëMirë dhe #NdërtojmëSëBashku, synon të riparojë/rindërtojë institucionet arsimore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019-të në Shqipëri.

Znj. Zhivkoviq do të vizitojë Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin” në Lezhë, pjesë e projektit “Fuqizojmë Komunitetin”, i cili financohet nga USAID Shqipëri dhe zbatohet nga UNDP. Projekti përfshin ngritjen e tre qendrave “Fuqizojmë Komunitetin” në Durrës, Kurbin dhe Lezhë. Qendrat ofrojnë shërbime sociale të integruara për grupet në nevojë në këto tre bashki.

/rtsh.al/