RTSH 24 Live

Kosovë

Ndalohet “Remi”, ish-komandanti i UÇK-së, më pas lihet i lirë

12/09/2023

Ndalohet “Remi”, ish-komandanti i UÇK-së, më pas lihet i lirë

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Rustem Mustafa – Remi është arrestuar dhe është dërguar në bazën e misionit të EULEX-it në Fushë-Kosov pasi akuzohet për krime lufte.

Mustafa kishte përfunduar dëshminë e tij në Hagë vetëm para dy muajve, ku u shpreh se për të ka qenë shumë e rëndë ndjesia të ketë përballë bashkëluftëtarët e tij me akuza të padrejta.

Ai është liruar pasi është marrë në pyetje. Ndërsa, Mustafa pas lirimit ka treguar se të njëjtit i është marrë telefoni.

Ish-komandanti i UÇK-së ishte dërguar në bazën e misionit të EULEX-it në Fushë Kosovë për t’u intervistuar.

Sipas Mustafës, asnjë shpifje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk mund ta zhbëjë atë që shkaktoi politika kriminale e regjimit.

Rustem Mustafa kishte nisur dhënien e dëshmisë së tij në Hagë, para dy muajsh dhe ishte dëshmitari i parë që ka dalë publikisht në gjykimin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi, pasi të gjithë të tjerët kanë qenë me masa mbrojtëse, transmeton RTK.

Mustafa ka qenë deputet i PDK-së vite më parë, dyshohet nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, për krime lufte.

/rtsh.al/